Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka zhvilluar një takim pune me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, Jeton Shabani, ku është diskutuar gjendja aktuale e furnizimit me ujë të pijes dhe masat që po ndërmerren për përmirësimin e kapaciteteve furnizuese.
Gjatë takimit, kryetari Vishi ka theksuar se, në përputhje me zotimet e mëhershme, në territorin e komunës po zhvillohen punime intensive në disa projekte infrastrukturore që lidhen me furnizimin me ujë. Ndër to përfshihen punimet në rezervuarin e ujit në Dushkajë, funksionalizimi i pusit pranë fabrikës së gëlqeres dhe vendosja e pompave, si dhe hapja e pritshme e një pusi të ri.
Sipas kryetarit, këto investime synojnë rritjen e kapaciteteve të furnizimit me ujë, me qëllim që qytetarët të mos përballen me mungesa, veçanërisht gjatë sezonit veror kur kërkesa është më e lartë, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në takim është kërkuar nga KRU “Bifurkacioni” menaxhim më efikas, përgjegjësi institucionale dhe angazhim maksimal në ofrimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët. Në takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Korab Krasniqi.
