Lajm i mirë për Anglinë

0%

Kombëtarja e Anglisë ka marrë një lajm të mirë para ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026 ndaj Kroacisë, pasi ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka konfirmuar se ndihet shumë më mirë fizikisht dhe është i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Anglia dhe Kroacia do të përballen të mërkurën në stadiumin AT&T në Dallas, në ndeshjen e parë të Grupit L. “Tre Luanët” synojnë ta nisin me fitore turneun dhe njëkohësisht të hakmerren për eliminimin e dhimbshëm në gjysmëfinalen e Botërorit 2018. Saka kishte qenë në dyshim për këtë takim për shkak të një problemi të vazhdueshëm në tendinën e Akilit, lëndim që e ka shoqëruar që nga fillimi i sezonit. Megjithatë, sulmuesi anglez ka bërë të ditur se gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. “Që nga marsi, stafi mjekësor i Arsenalit dhe ai i Anglisë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me mua. Ndihem më mirë se sa jam ndier gjatë muajve të fundit dhe jam gati të luaj”, deklaroi Saka. Futbollisti i Arsenalit pranoi se shpesh lojtarët detyrohen të marrin rreziqe edhe kur nuk janë në formën optimale fizike, për shkak të pritshmërive të mëdha që ekzistojnë në futbollin elitar. “Njerëzit presin gjithmonë që të japësh maksimumin, pavarësisht se si ndihesh fizikisht. Unë jam i gatshëm ta marr atë rrezik dhe mendoj se deri tani ka rezultuar pozitivisht. Tani ndihem shumë më mirë se në mars dhe jam gati për sfidën”, shtoi ai. Megjithëse Saka pritet të jetë titullar ndaj Kroacisë, vendimi përfundimtar do t’i takojë përzgjedhësit Thomas Tuchel. Në rast të ndonjë komplikimi të minutave të fundit, vendin e tij mund ta zërë sulmuesi i Chelseat, Noni Madueke. Ndërkohë, Anglia ka njoftuar edhe përfshirjen e mbrojtësit Trevoh Chalobah në skuadër, pasi Tino Livramento është detyruar të tërhiqet për shkak të lëndimit.

Burimi: Bota Sot