Rëndohet bilanci nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë/ Nxirren të

0%

Bilanci i viktimave nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor vijon të rëndohet. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, numri i të vdekurve ka arritur në 5,278, ndërsa mijëra persona vazhdojnë të jenë të pastrehë. Autoritetet sqaruan se bilanci mbetet ende paraprak. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 70 viktima të tjera.

Numri i mëparshëm ishte 5,208 të vdekur, ndërsa ai i të plagosurve mbetet i pandryshuar në 16,740. Dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë goditën Venezuelën më 24 qershor, duke shkaktuar dëme të mëdha, kryesisht në pjesën veriore të vendit, veçanërisht në shtetin bregdetar La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende në zonat më të prekura, ku ekipet po punojnë për nxjerrjen e viktimave nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Ndërkohë, më shumë se 23 mijë persona mbeten të strehuar në mbi 100 kampe të përkohshme. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, deklaroi se deri në muajin dhjetor do t’u dorëzohen banesa të reja 4,000 familjeve të prekura nga katastrofa.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Dorëzimet do të bëhen çdo muaj” , tha ajo gjatë një ceremonie të transmetuar në televizionin shtetëror. Rodríguez bëri të ditur gjithashtu se rreth 200 familje kanë përfituar tashmë apartamente në një kompleks banesash sociale, duke e cilësuar këtë si një “moment gëzimi mes vuajtjeve të viktimave të tërmetit”.

Ajo premtoi se deri në vitin 2027 do të ndërtohen dhe dorëzohen më shumë se 10 mijë banesa. Sipas autoriteteve, Venezuela do të ketë nevojë për rreth 25 mijë njësi banimi për të strehuar të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga katastrofa. Të dhënat zyrtare tregojnë se 856 ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa 190 janë shembur plotësisht.

Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë publikuar një numër zyrtar të personave të zhdukur. Pas tërmeteve, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) vlerësoi se numri i tyre mund të arrinte deri në 50 mijë, ndërsa vlerësime të tjera flasin për rreth 10 mijë persona të zhdukur.

Burimi: Bota Sot