Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të hënën vendosjen e tarifave të reja ndaj Kanadasë, duke rritur tensionet me një nga aleatët më të afërt dhe partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të SHBA-së.
Tarifat prej 50% do të zbatohen për një sërë mallrash kanadeze, përfshirë pajisjet elektrike dhe makineritë, dhe janë ndër më të lartat që administrata Trump ka vendosur ndonjëherë ndaj një partneri tregtar.
Megjithëse Trump së fundmi kishte kërcënuar Kanadanë me tarifa si reagim ndaj tymit të zjarreve që përfshiu pjesën veriore të SHBA-së, zyrtarët e administratës sqaruan se masat e reja nuk lidhen me këtë çështje. Sipas Shtëpisë së Bardhë, tarifat do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditësh dhe do të prekin mallra kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme. “Në çdo rrethanë, Kanadaja do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të forcuar ekonominë tonë dhe për të mbështetur punëtorët, fermerët, bizneset dhe familjet kanadez e”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kryeministri i provincës së Ontarios, Doug Ford, bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme ndaj masave amerikane. “Nëse këto tarifa mbeten në fuqi, Kanadaja duhet të përgjigjet me tarifë për tarifë, dollar për dollar”, shkroi ai në platformën X.
Trump iu referua Seksionit 338 të Aktit të Tarifave të vitit 1930, një dispozitë që i jep presidentit të drejtën të vendosë tarifa deri në 50% ndaj vendeve që diskriminojnë mallrat amerikane. Megjithatë, ky mekanizëm nuk është përdorur kurrë më parë në këtë mënyrë.
Nga tarifat e reja përjashtohen disa importe strategjike kanadeze, si produktet energjetike, mineralet kritike, peshku dhe mallra të tjera që tashmë i nënshtrohen tarifave specifike sektoriale, përfshirë automjetet dhe metalet.
Ndryshe nga masat e mëparshme, këtë herë nuk do të ketë përjashtime për produktet e mbuluara nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), e cila aktualisht është në proces rinegocimi. Sipas firmës kërkimore Capital Economics, vetëm rreth 5% e importeve kanadeze, ose rreth 0.6% e totalit të importeve amerikane, do të preken nga tarifat e reja.
Megjithatë, nëse përdorimi i Seksionit 338 miratohet nga gjykatat, ai mund të shndërrohet në një mjet të rëndësishëm për administratën Trump në negociatat e ardhshme tregtare. Tarifat kanë qenë një nga instrumentet kryesore të politikës ekonomike të Trump, të përdorura për të ushtruar presion ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së.
Megjithatë, në shkurt, Gjykata e Lartë vendosi se presidenti nuk mund të përdorte Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA) për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse në nivel global. Vendimi rrëzoi përpjekjen e administratës për të taksuar importet nga të gjitha vendet dhe për të vendosur tarifa shtesë ndaj Kinës, Kanadasë dhe Meksikës.
Pas këtij vendimi, Trump aplikoi tarifa të përkohshme prej 10% sipas Seksionit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, të cilat pritet të skadojnë më vonë këtë javë. Javën e kaluar, SHBA vendosi gjithashtu tarifa 25% ndaj një sërë importesh nga Brazili, bazuar në Seksionin 301 të Aktit të Tregtisë, pas një hetimi mbi praktikat tregtare të këtij vendi.
Administrata amerikane ka paralajmëruar gjithashtu tarifa të tjera ndaj Kinës, rivalit kryesor ekonomik të SHBA-së, e cila tashmë përballet me barriera tregtare më të larta se shumica e vendeve të tjera. Edhe pse tarifat nuk ishin pjesë e diskutimeve gjatë samitit të majit mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, ky i fundit pritet të vizitojë SHBA-në në shtator.
Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë theksoi se Kanadaja ishte një nga vetëm dy vendet që zgjodhi të kundërpërgjigjej me tarifa ndaj masave amerikane, në vend që të hynte në negociata. Vendi tjetër ishte Kina.
