Mjeshtri i fyellit, Vendim Kapaj, ka bërë të ditur se tingujt e interpretimeve të tij me fyell dhe culë dyjare janë pjesë e filmit “Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan dhe muzikë nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson.
Kapaj ka ndarë emocionet e tij për këtë përvojë të veçantë, duke treguar se më ka punuar për disa orë me ekipin e regjistrimit të Göransson, duke sjellë tinguj të instrumenteve tradicionale shqiptare dhe të këngës labe. “Jam shumë i lumturuar që nëpërmjet tingujve të melodive të mia me fyell dhe culë dyjare, bëhem pjes e filmit “ODYSSEY”.
Për mua do të mbetet në memorje data , nga ku së bashku me kompozitorin Ludwing Gorannson dhe me ekipin e tij të regjistrimit, për 5 orë punë intesive, hodhëm pjesë të ndryshme me istrumentet popullore, punë e lodhshme por shumë e bukur. Faleminderit z.
Kompozitor Ludwing Gorannson, që nëpërmjet punës tuaj të pa lodhur, e ndiej veten të priviligjuar, që muzika ime me istrumentat popullor, si dhe tingujt e mrekullushëm të këngës labe, i bëtë bashkë me artistat e mëdhenjë Hollivudian”, shkroi Vendim Kapaj në postimin e tij.
Pas këtij publikimi, në komentet e postimit të tij pati edhe diskutime rreth tingujve dhe instrumenteve që do të përdoren në filmin “Odyssey”.
Disa komentues ngritën pretendimin se nga materialet zyrtare të publikuara deri tani nuk rezulton që këto instrumente të jenë përdorur në pjesën “Sirens”, duke argumentuar se instrumenti i dëgjuar aty ishte aulos, një instrument i lashtë grek i interpretuar nga Callum Armstrong.
Ndaj këtij reagimi, Vendim Kapaj u përgjigj duke mbrojtur interpretimin e tij dhe duke sqaruar se tingulli i dëgjuar ishte i fyellit dhe jo i aulosit. Ai theksoi gjithashtu se në atë pjesë kishte interpretuar “vajë labërie”.
Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë projekt ka hapur diskutime rreth përfshirjes së elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një produksion ndërkombëtar të përmasave të mëdha, duke vënë në vëmendje tingujt e instrumenteve dhe trashëgiminë muzikore të jugut të Shqipërisë.
