Policia e Vlorës ka zhvilluar tri operacione të ndryshme brenda 24 orëve, duke arrestuar tre persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe transportim të paligjshëm të personave drejt Greqisë. Në kuadër të operacionit të koduar “Barriera”, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, është arrestuar 30-vjeçari M. Q.
Sipas Policisë, ai dyshohet se po transportonte me një automjet “Volkswagen” pesë persona, katër shtetas shqiptarë dhe një shtetas nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Greqi, pasi kishin pengesa për të lëvizur në zonën Schengen. Ndërkohë, gjatë operacionit “Pasagjeri”, është arrestuar në flagrancë 26-vjeçari D. M. nga Tirana.
Gjatë kontrollit të një taksie me të cilën ai po udhëtonte, Policia i gjeti një pistoletë, një krehër dhe municion, të cilat dyshohet se i posedonte pa leje. Në operacionin e tretë, të koduar “Thirrja”, është arrestuar 31-vjeçari H. Z. Ai u kap disa orë pasi një punonjës i OShEE-së raportoi se ishte dhunuar dhe se i ishte vjedhur automjeti i kompanisë.
Vetura u lokalizua dhe iu kthye kompanisë, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të dyshuarit u gjet edhe një thikë. Materialet procedurale janë dërguar në prokuroritë përkatëse për vazhdimin e hetimeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
