Ka zhvillime të rëndësishme sa i përket të ardhmes së Rafael Leaos, me raportime për një interesim të mundshëm nga Chelsea, por mbi të gjitha edhe me një ndryshim të qëndrimit të tij ndaj Galatasarayt dhe Fenerbahçes.
Reprezentuesi portugez deklaroi në disa intervista para Kupës së Botës se e konsideronte të përfunduar aventurën e tij te Milani dhe se ishte gati për një sfidë të re në karrierë. Edhe Milani është i gatshëm ta shesë, pasi nuk ka ndërmend t’ia rinovojë kontratën fitimprurëse, e cila skadon në qershor të vitit 2028.
Problemi është se klubet e vetme që kanë paraqitur oferta konkrete deri më tani janë Galatasaray dhe Fenerbahçe, dy destinacione që fillimisht nuk e bindnin Leaon. Portugezi shpreson të transferohet në Premier League, por deri tani Manchester United dhe Aston Villa nuk kanë shfaqur interes serioz.
Sipas “Sportitalia”, Chelsea ka bërë një lëvizje fillestare, edhe pse për momentin bëhet fjalë vetëm për një kërkesë informacioni. Megjithatë, zhvillimi më i rëndësishëm, sipas të njëjtit burim, është se Leao e ka kuptuar se opsionet e tij janë të kufizuara dhe tani është më i hapur për një transferim në Turqi, por vetëm nëse oferta financiare është mjaftueshëm e lartë për ta bindur.
Aktualisht, Leao përfiton 5.5 milionë euro në sezon te Milani, plus bonuse të lidhura me performancën, ndërsa Galatasaray është në gjendje t’ia dyfishojë pothuajse këtë pagë..
