Google ka hedhur një tjetër hap në zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke prezantuar një funksion të ri në platformën Google Vids që u mundëson përdoruesve të krijojnë avatarë digjitalë me fytyrën dhe zërin e tyre. Falë kësaj veçorie, përdoruesit nuk kanë më nevojë të regjistrojnë vazhdimisht video me kamerë.
Mjafton një fotografi dhe një regjistrim i shkurtër i zërit për të krijuar një version virtual që mund të flasë dhe të paraqesë çdo tekst të shkruar nga përdoruesi. Procesi është i thjeshtë.
Pasi hyn në Google Vids, përdoruesi zgjedh opsionin për krijimin e avatarit personal, regjistron fytyrën dhe zërin përmes telefonit ose tabletit dhe më pas mund ta përdorë figurën digjitale në projekte të ndryshme video.
Google thotë se kjo teknologji është menduar kryesisht për prezantime profesionale, materiale trajnimi, video marketingu dhe komunikime biznesi, duke kursyer kohë dhe shmangur nevojën për regjistrime të vazhdueshme. Përveç avatarëve personalë, platforma ofron edhe personazhe virtualë të gatshëm me pamje dhe zëra të ndryshëm.
Mjafton të shkruhet skenari dhe sistemi krijon automatikisht videon. Megjithatë, funksioni ka disa kufizime. Aktualisht ai është i disponueshëm vetëm për përdoruesit me llogari të caktuara Google Workspace ose plane Google AI, përdoruesit duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe mbështetja gjuhësore ende nuk është e plotë në të gjitha rajonet.
Me këtë risi, Google forcon pozitat në garën e teknologjive të videove të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke synuar ta bëjë prodhimin e përmbajtjeve video më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm.
