Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka pranuar se e ka të vështirë të zgjedhë se cilën skuadër do të mbështesë në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.
Në një intervistë për mediat spanjolle, ish-mesfushori portugez tha se lidhjet e tij me Barcelonën e bëjnë situatën edhe më të ndërlikuar, pasi në njërën anë ndodhet Lionel Messi, ndërsa në anën tjetër shumë lojtarë të “La Roja” që janë pjesë e klubit katalanas. “Unë gjithmonë shkoj me njerëzit e mi, por njerëzit e mi janë kudo. Leo është gjithmonë njëri prej nesh.
Ai jo vetëm që është mik, por ka dhënë gjithçka për tifozët e Barcelonës dhe për futbollin. Është një legjendë dhe ajo që po bën në këtë Botëror është spektakolare”, u shpreh Deco. Ai shtoi se edhe lojtarët spanjollë të Barcelonës kanë një vend të veçantë për të, ndaj finalja do të ndiqet me shumë emocione. “Nga ana tjetër janë djemtë tanë të Barçës.
Është gjithmonë e vështirë të zgjedhësh. Prandaj do ta ndjekim me shumë vëmendje finalen. Besoj se do të jetë një ndeshje spektakolare” , theksoi drejtori sportiv i klubit katalanas.
Deco vlerësoi formën e shkëlqyer të të dyja kombëtareve, duke nënvizuar se Spanja po luan futboll shumë të mirë, ndërsa Argjentina ka treguar karakter dhe zemër skuadre edhe në momentet më të vështira të turneut. Finalja e madhe mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet të dielën në stadiumin New York New Jersey Stadium, ku do të vendoset kampioni i ri i botës.
