Agjenti i Mohamed Salah ka reaguar publikisht pasi u raportua se sulmuesi egjiptian ishte pranë transferimit te Besiktasi si lojtar i lirë. Salah u largua zyrtarisht nga Liverpooli në fund të muajit qershor, duke i dhënë fund një periudhe të jashtëzakonshme nëntëvjeçare në “Anfield”.
Makina e golave realizoi plot 257 gola në 442 paraqitje me fanellën e “The Reds”, duke fituar tre tituj të Premierligë, një trofe të Ligës së Kampionëve dhe disa trofe të tjerë.
Megjithatë, fundi i aventurës së tij në Premierligë u shoqërua me tensione në marrëdhënien me trajnerin Arne Slot, të cilin e kritikoi publikisht për qasjen taktike, duke pretenduar se ishte bërë “kurban” i vendimeve të tij.
Që kur konfirmoi largimin nga Liverpooli në muajin mars, Salah është lidhur me disa klube, përfshirë edhe një transferim fitimprurës në Arabinë Saudite, por Besiktasi u konsiderua si destinacioni më i mundshëm.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, 34-vjeçari i kishte dhënë “dritën e gjelbër” transferimit te gjiganti turk të premten, ndërsa thuhej se kishte nënshkruar një kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër.
Tavolieri madje pretendoi se marrëveshja ishte “e kryer”, me Besiktasin që planifikonte ta sillte Salahun në fillim të javës së ardhshme për kontrollimet mjekësore dhe firmosjen e kontratës. Megjithatë, agjenti i futbollistit, Ramy Abbas, hodhi dyshime mbi këto raportime me një deklaratë befasuese. “Personalisht nuk e di se ku do të luajë Mohamed sezonin e ardhshëm.
Çfarë ju tregon kjo?”, shkroi ai në rrjetin social X. Si përfaqësuesi i Salahut, Abbas pritet të jetë personi më i informuar për të ardhmen e klientit të tij, ndaj reagimi i tij u interpretua si një mohim i zërave për një marrëveshje të mbyllur me Besiktasin.
Nuk është e zakonshme që një agjent të dalë publikisht dhe të hedhë poshtë raportimet për një transferim, veçanërisht përmes rrjeteve sociale, prandaj deklarata e tij ka shkaktuar shumë reagime. Megjithatë, nëse Besiktasi arrin ta kompletojë transferimin e Salahut, ai do t’i bashkohej Leandro Trossardit në Turqi.
Belgu i dha fund së fundmi aventurës së tij trevjeçare e gjysmë me Arsenalin, duke kaluar te Besiktasi për 15 milionë funte dhe duke nënshkruar kontratë trevjeçare me opsion edhe për një vit shtesë.
Ashtu si Salah, edhe Trossard u bë i njohur në Premier League dhe konsiderohet një përforcim i madh për klubin turk. 31-vjeçari regjistroi 93 kontribute në gola në 239 ndeshje në elitën angleze dhe pati rol kyç sezonin e kaluar në fushatën e Arsenalit drejt titullit kampion.
“Ndihem shumë i trishtuar që po largohem, sepse ky klub ka qenë gjithçka për mua”, tha Trossard në mesazhin e tij të lamtumirës. “Ky është ndoshta vendimi më i vështirë që kam marrë në karrierë.
Nuk ishte e lehtë të thosha po, por ndiej se është koha e duhur për të nisur një kapitull të ri.” “Një nga arsyet pse zgjodha Besiktasin në vend të disa klubeve në Angli është se nuk doja të luaja kundër Arsenalit. Ky klub do të thotë shumë për mua dhe nuk doja ta gjeja veten në anën tjetër.”
