Komisioni Europian i ka kërkuar qeverisë shqiptare anulimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 që prekin Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike.
Komisionerja Marta Kos i kërkoi më 14 korrik Edi Ramës të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe amendimet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura, duke rritur presionin ndaj qeverisë shqiptare për të qenë në linjë me standardet europiane.
Komisionerja Kos, në përgjigje të gazetarëve, tha se: “Mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE, kritere shumë të rëndësishme dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter…
Edhe përpara sesa të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura.” Por Rama, në kundërshtim me komisioneren europiane, përsëriti qëndrimin e tij se projekti turistik në Zvërnec do të bëhet.
Ligji kontrovers për Investimet Strategjike i vitit 2015, si një ligj i përkohshëm për të nxitur investimet e huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë, shërbeu si një mekanizëm për të ndërtuar në bregdet biznesmenët shqiptarë dhe të huaj që komandojnë Edi Ramën.
Mazhoranca socialiste, deputetët e listave të mbyllura të Edi Ramës dhe jo përfaqësues të popullit, votuan shtyrjen e efekteve të tij gjashtë herë, edhe pse ishte zotuar për hartimin e një ligji të ri për investimet si pjesë e dokumentit negociues me Bashkimin Europian.
Ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura i vitit 2017 u ndryshua në vitin 2024 nëpërmjet një procesi jotransparent, pa konsultim të mirëfilltë dhe me kundërshtimin e organizatave mjedisore dhe kritikave të BE-së, duke hequr barrierat ligjore mbrojtëse për zonat e mbrojtura natyrore për t’i hapur rrugë betonizimit të tyre me projekte ndërtimesh si ai i Zvërnecit.
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, por asnjëra prej tyre nuk është futur në shqyrtim dhe mazhoranca e Edi Ramës ka bllokuar funksionimin normal të Kuvendit.
Strategjia e qeverisë së Edi Ramës është ajo e “faktit të kryer”, siç ndodhi me investimin e Zvërnecit, “ku u rrethua hapësira e parashikuar për ndërtime dhe nisën punët pa pasur asnjë dokument shtetëror që të justifikonte gjithë këtë ndërhyrje”.
E vetmja zgjidhje për çlirimin e Shqipërisë nga kolonializimi i saj në emër të investimeve është anulimi, jo shfuqizimi, i të gjitha ligjeve dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave për Investitorët Strategjikë dhe Paketën e Maleve.
Anulimi i rikthen të gjithë pasurinë kombëtare popullit të vjedhur nga mafia shqiptare dhe e huaj, ndërsa shfuqizimi ndërpret vazhdimin e mëtejshëm të këtyre ligjeve, por përfituesit që i kanë përfituar këto pasuri nuk preken.
Prandaj, protestuesit dhe i gjithë populli duhet të kërkojnë me këmbëngulje vetëm anulimin e ligjeve “gjakpirëse” të investitorëve strategjikë dhe të Paketës së Maleve.
Në të kundërt, nga Butrinti në Zvërnec, me 183 lejet e ndërtimeve në 43 zona (që edhe Parlamenti Europian i quan të kundërligjshme), nuk do të jenë më në përdorim të popullit shqiptar, por në përdorim të miliarderëve të huaj dhe të krimit shqiptar. Prandaj: Vetëm ANULIM dhe jo shfuqizim. Mos u besoni më mashtrimeve të Edi Ramës.
