Një kapiten shqiptar i një trageti pasagjerësh është arrestuar në portin e Korfuzit, pasi autoritetet greke konstatuan se anija kishte në bord më shumë pasagjerë se sa lejohej nga certifikata e lundrimit. Bëhet fjalë për një 45-vjeçar shqiptar, kapiten i një trageti me flamurin e Saint Kitts and Nevis, i cili lundronte nga një port në Shqipëri drejt portit të Korfuzit.
Pas mbërritjes së anijes, oficerët e Autoritetit Qendror Portual të Korfuzit kryen numërimin e pasagjerëve dhe konstatuan se ishte tejkaluar numri maksimal i lejuar, në kundërshtim me certifikatën e lundrimit të mjetit. 45-vjeçari u arrestua për shkelje të Kodit të së Drejtës Publike Detare, si dhe të legjislacionit që rregullon rastet e transportimit të pasagjerëve mbi kapacitetin e lejuar dhe procedurat e kontrollit e regjistrimit të tyre.
Autoriteti Qendror Portual i Korfuzit ka nisur hetimet paraprake për ngjarjen, ndërsa ka filluar edhe procedura për vendosjen e sanksioneve administrative të parashikuara nga ligji.
