Francë-Angli, betejë për vendin e tretë, lamtumira e Deschamps

0%

Franca dhe Anglia do të përballen të shtunën në Miami në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, një sfidë që tradicionalisht konsiderohet si më pak e dëshirueshmja e turneut, pasi vjen menjëherë pas zhgënjimit të eliminimit në gjysmëfinale. Për Francën, kjo ndeshje do të ketë një domethënie të veçantë, pasi do të jetë e fundit për Didier Deschamps në stolin e “Les Bleus”.

Pas përfundimit të Botërorit, ai do t’ia dorëzojë drejtimin e kombëtares legjendës Zinedine Zidane. Deschamps largohet pas një epoke të suksesshme, me një përqindje fitoreje prej 77 për qind në 26 ndeshje të Kupës së Botës dhe plot 186 takime në krye të Francës, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Nga ana tjetër, Anglia vazhdon të përballet me kritikat pas humbjes ndaj Argjentinës në gjysmëfinale. Deklaratat e Thomas Tuchel, i cili la të kuptohej se përgjegjësia për eliminimin ishte kryesisht e lojtarëve, kanë nxitur debat të madh, ndërsa shumë tifozë dhe analistë kanë fajësuar trajnerin gjerman për vendimet taktike në fund të ndeshjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo ishte vetëm hera e dytë në shekullin XXI që Anglia humbi një gjysmëfinale të Kupës së Botës pasi kishte kaluar në epërsi, pas disfatës ndaj Kroacisë në vitin 2018. Dy kombëtaret u takuan për herë të fundit në çerekfinalen e Botërorit 2022, kur Franca fitoi 2-1 falë golave të Aurelien Tchouameni dhe Olivier Giroud, ndërsa Harry Kane realizoi nga penalltia për anglezët.

Edhe pse trofeu tashmë është jashtë mundësive të tyre, Kylian Mbappe ka ende një objektiv personal. Sulmuesi francez ndan vendin e parë në garën për “Këpucën e Artë” të Botërorit me Lionel Messin dhe synon ta mbyllë turneun si golashënuesi më i mirë. Në anën tjetër, Anglia rrezikon të vendosë një rekord negativ.

“Tre Luanët” kanë humbur të dyja ndeshjet e mëparshme për vendin e tretë në Kupën e Botës dhe mund të bëhen kombëtarja e parë që humbet tri të tilla. Statistikat e fundit favorizojnë Francën, e cila ka fituar gjashtë nga nëntë përballjet e fundit ndaj Anglisë, ndërsa anglezët kanë vetëm një fitore, me dy ndeshje të përfunduara në barazim.

Sfida mund të ketë edhe një domethënie emocionale për Harry Kane, pasi ende nuk dihet nëse kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në një Kupë Bote. Sulmuesi anglez do të jetë 36 vjeç në edicionin e ardhshëm të turneut dhe pritet të japë maksimumin në këtë përballje.

Sa u përket mungesave, Anglia pritet të jetë pa Reece James, i cili pësoi një tjetër dëmtim në gjysmëfinale, ndërsa Franca nuk do të ke të në dispozicion mbrojtësin William Saliba, i cili ka pësuar një dëmtim serioz në shpinë dhe do të mungojë për një periudhë të gjatë.

Burimi: Bota Sot