Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se vendimi i Gjermanisë për të blerë raketa amerikane “Tomahawk”, nuk përbën rrezik për një përshkallëzim të tensioneve me Rusinë. “Ne jemi një aleancë mbrojtëse. Kjo do të thotë se nuk do të sulmojmë askënd, por duhet të jemi në gjendje të mbrohemi”, tha Rutte.
Sipas tij, dislokimi i raketave “Tomahawk” në Gjermani, synon të forcojë parandalimin ushtarak të NATO-s, të tregojë se aleanca ka aftësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të mundshëm. Raketat “Tomahawk” janë raketa me precizion të lartë, që mund të godasin objektiva në distanca shumë të mëdha.
Ato mund të përdoren kundër pikave strategjike ushtarake, si qendrat e komandës, bazat ajrore dhe vendet ku dislokohen raketa të tjera. Gjermania njoftoi planin për blerjen e këtyre raketave, pas samitit të fundit të NATO-s në Ankara.
Kancelari Friedrich Merz siguroi më herët mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump për miratimin e shitjes së raketave “Tomahawk” dhe sistemeve “Typhon”. Sistemi “Typhon” është një platformë tokësore që mundëson lëshimin e raketave “Tomahawk”.
Sipas ushtrisë gjermane, këto raketa kanë një rreze veprimi prej rreth 2,500 kilometrash, duke tejkaluar ndjeshëm raketat gjermane “Taurus”, të cilat kanë një rreze veprimi rreth 500 kilometra. Rutte e cilësoi vendimin e Gjermanisë si “lajm të shkëlqyer”, duke thënë se raketat do t’i japin NATO-s “një garanci më të madhe sigurie” dhe do të forcojnë kapacitetin e përbashkët të mbrojtjes.
Ai theksoi se qëllimi i këtyre armëve, nuk është sulmi ndaj Rusisë, por parandalimi i një agresioni të mundshëm, duke e bërë një kundërshtar të mendojë për pasojat, përpara se të ndërmarrë një veprim ushtarak.
Sipas NATO-s, raketat “Tomahawk” do të jenë pjesë e përpjekjeve për të rritur aftësinë mbrojtëse të aleancës, në një periudhë kur tensionet me Rusinë mbeten të larta për shkak të luftës në Ukrainë.
