“Mendërisht nuk më mungon asgjë. Nuk mendoj se pas dy javësh apo një muaji do të më duhet të nis gjithçka nga e para. Thjesht po përpiqem të kuptoj se si do të jetë pak a shumë jeta ime”.
Kështu është shprehur trajneri katalanas Pep Guardiola në një intervistë për kompaninë e tregtimit të kriptomonedhave Okx, duke përjashtuar një rikthim të afërt në stol, pavarësisht se emri i tij ishte përmendur edhe si kandidat për të drejtuar Italinë.
Mes arsyeve që e shtynë të ndalonte pas largimit nga Manchester City, Guardiola përmendi dëshirën “për t’u kujdesur pak më shumë për veten, për të parë shumë më tepër fëmijët e mi, babain tim që është 95 vjeç dhe është ende këtu, motrat dhe vëllain tim”. Për të ardhmen: “Do të shohim nëse do të më mungojë futbolli.
Nëse dikush do të më kërkojë, do të rikthehem; përndryshe do të vazhdoj kështu. Nuk jam më i ri, nuk jam 35, 37 apo 40-41 vjeç, tani jam 56 vjeç, ndaj perspektiva do të jetë pak ndryshe”. Sipas Guardiolës, “e vetmja gjë që di të bëj është të luaj futboll ose të trajnoj.
Prandaj, pse të mos përpiqem të zbuloj një jetë tjetër, të jem i lumtur dhe i plotësuar si njeri duke bërë edhe gjëra të tjera, jo vetëm të lidhura me futbollin. Tani po përpiqem të shijoj gjëra të tjera që nuk i kam bërë kurrë dhe që do t’i bëj, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
