Një rrëshqitje masive dheu ka goditur qarkun Pengshui, pranë qytetit Chongqing në jugperëndim të Kinës, duke varrosur disa ndërtesa banimi dhe duke lënë një numër ende të papërcaktuar personash të bllokuar. Ngjarja ndodhi të premten në mëngjes, pasi një pjesë e kodrës u shemb në një zonë të pjerrët pranë lumit Wujiang.
Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, të paktën 10 persona janë nxjerrë nga rrënojat pa lëndime, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Rreth 1 mijë e 110 banorë janë evakuuar nga zona, ndërsa në terren janë angazhuar rreth 100 punonjës shpëtimi dhe dhjetëra automjete emergjence.
Autoritetet kishin lëshuar paralajmërim emergjent para shembjes, pasi ishin vërejtur rënie gurësh nga kodra. Megjithatë, rrëshqitja ndodhi para se evakuimi i të gjithë banorëve të përfundonte. Sipas autoriteteve, shembja dyshohet se u shkaktua nga reshjet e dendura të shiut. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
