Librat për fëmijë po i demonizojnë të pasurit

0%

Harrojini filantropët bujarë që hapnin dyert e tyre për shpirtrat më pak fatlumë; personazhet e pasur tani paraqiten pothuajse gjithmonë si moralisht të dyshimtë. Nga: Emily Bearn / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Një nga personazhet më tërheqës në letërsinë angleze është pa dyshim z. Braunlou, beqari i pasur dhe zemërmirë që mishëronte moralin e krishterë tek Oliver Tuisti .

Kur isha fëmijë, ëndërroja që ai të më nxirrte nga jeta ime dhe të më shtrinte për të fjetur në dhomën e gjerë të miqve në shtëpinë e tij të rehatshme në Londër. Megjithatë, në letërsinë për fëmijë të shekullit XXI, figurat si Braunloui janë bërë jashtëzakonisht të rralla. Në vend të tyre, shkrimtarët po i paraqesin gjithnjë e më shumë njerëzit e pasur si moralisht të dyshimtë.

Mesazhi mund të mos shkruhet me shkronja të mëdha, por kur një fëmijë e përthith atë mjaftueshëm shpesh, ai fillon të rezonojë. Mjafton të marrim botimin e javës së kaluar të Vrasja në një natë vere [ Murder on a Midsummer Night ], romanit më të fundit për fëmijë nga Lucy Strange.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse ajo njihet më së shumti për letërsinë e saj historike, kësaj here historia zhvillohet në kohët bashkëkohore dhe po ashtu janë edhe supozimet mbi të cilat mbështetet: nuk derdhim lot për viktimën e vrasjes në histori, Magnus Kuperin, një njeri “shumë i pasur” që zotëron vreshta në Francë. “Gjithmonë një njeri i pa empati” është gjëja më pak fyese që dikush arrin të thotë për të.

Kuperi është një nga qindra antagonistët modernë të letërsisë, pasuria e të cilëve paraqitet si pjesë e provave kundër tyre. Në Shpëtimi i Rejvënvudit [ The Rescue of Ravenwood , 2023] nga Natasha Farrant, një burrë me “ten portokalli” dhe një “SUV që shkëlqen” rezulton të jetë një zhvillues pronash që planifikon të presë një pemë shekullore për t’i hapur rrugë një parkingu.

Në Hajnat e mirë [ The Good Thieves , 2019] të Katherine Rundellit, personazhi negativ është Viktor Sorotori, një manjat që ka mashtruar një plak duke ia marrë shtëpinë. Lista vazhdon. Jo shumë kohë më parë, lexuesit e rinj do të ishin falur po të kishin menduar se njerëzit me para ishin të aftë të silleshin mirë.

Kur Arthur Ransome u ul të shkruante Dallëndyshet dhe amazonat [ Swallows and Amazons , 1930], ndoshta nuk i shkoi ndër mend se familja Uoker ishte moralisht e paqartë thjesht për faktin se kishte shërbëtorë dhe varka me vela.

Po kështu, në Kullat Malori [ Malory Towers , 1946-1951] të Enid Blytonit, shumë vajza prej familjeve të pasura janë jashtëzakonisht të këndshme. (Guendolina e llastuar vjen nga një prej familjeve më pak të pasura të shkollës.) Ndërsa te Kali i vogël i bardhë [ The Little White Horse , 1946] nga Elizabeth Goudge, Mari Meriuedhër rritet nën kujdestarinë e kushëririt të saj të dashur, Benxhaminit, në rezidencën Munakër Menor, në një histori që respekton përgjegjësitë dhe traditat pronarëve të tokave.

Sot, për dallim, pasuria dhe privilegji kanë më pak gjasa të jenë moralisht neutrale. Natyrisht, nuk janë risi personazhet e pasur negativë në letërsinë për fëmijë. Dickensi e sulmoi vazhdimisht lakminë e figurave si Skruxhi – dhe ekziston një traditë e kahershme letrare e maskarenjve lakmitarë.

Te Luani, shtriga dhe dollapi [ The Lion, the Witch and the Wardrobe , 1950], Shtriga e Bardhë zotëron pasuri dhe madhështi të jashtëzakonshme si Mbretëresha e Narnisë. C. S. Lewis e paraqet pasurinë e saj si pjesë të fuqisë joshëse të tiranisë.

Ajo ka pasueset e saj te Kruela de Vil, personazhi përbindësh nga Njëqind e një dalmatinët [ The Hundred and One Dalmatians , 1956] i Dodie Smithit, si dhe te disa nga krijimet më të neveritshme të Roald Dahlit, si Kryeshtriga e Madhe jashtëzakonisht e pasur te Shtrigat [ The Witches , 1983] – një tjetër grua që kakaris, kësaj here e përcaktuar të shfarosë fëmijët.

Te personazhet e tilla, pasuria është vetëm një nga disa elemente zbukuruese në portretin e një ligësie të ekzagjeruar. Megjithatë, antagonistët e sotëm kanë më shumë gjasa të jenë biznesmenë sesa qenie fantastike.

Zhvilluesi i pronave te Shpëtimi i Rejvënvudit i Natasha Farrantit, nuk është i interesuar për sundimin e botës; “krimi” i tij është dëshira për të shkatërruar, për përfitim, një habitat natyror. Ndërsa, Viktor Sorotori i Katherine Rundellit është një manjat i pamëshirshëm, pasuria e të cilit i mundëson të frikësojë ata që janë më pak fatlumë.

Pra, nuk është për t’u habitur që legjenda e Robin Hudit ka marrë një ngjyrim dukshëm bashkëkohor – me tregimet e Michael Morpurgos dhe Rob Lloyd Jonesit që i shtohen një numri gjithnjë e më të madh të ritregimeve moderne.

Në një version të fundit të ilustruar nga Bethan Woollvini – për fëmijë nga tre deri në gjashtë vjeç – Robin Huditi paraqitet si vajzë dhe lexuesi kënaqet duke e parë t’ia japë ndëshkimin e merituar Sherifit “lakmitar, të kalbur dhe të pasur”.

Njeriu pyet veten se çfarë ndryshimesh do t’i kishte sugjeruar një bord redaktues Charles Dickensit, po ta kishte dorëzuar sot Oliver Tuistin te një botues. Braunlou, me shtëpinë e tij elegante në Londër dhe pasurinë e tij të pavarur, me siguri do të kishte ngjallur dyshime.

Ndoshta Dickensit do t’i duhej t’i shtonte një lidhje familjare me tregtinë historike të skllevërve, ose një skemë të shmangies së taksave përmes parajsave fiskale – ose, të paktën, një plan për ta shndërruar shtëpinë në apartamente luksoze.

Burimi: Telegrafi