Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në Prishtinë ka çuar në zbulimin e lëndëve narkotike te një shtetas shqiptar, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Serkan Halilaj , 34 vjeçar, shtetas i Shqipërisë.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, rreth orës , në rrugën “Ahmet Haxhiu”, ku njësitë policore ndaluan për kontroll një veturë taksi. Automjeti drejtohej nga Elidjan Kaza , 36 vjeçar, po ashtu shtetas i Shqipërisë, ndërsa si pasagjer ndodhej Serkan Halilaj.
Gjatë kontrollit, te pasagjeri policët gjetën dhe sekuestruan rreth 7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe dy qese me substancë të dyshuar të llojit kokainë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe forenzika, të cilat kanë bërë sekuestrimin e lëndëve narkotike si prova materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Serkan Halilajt është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
