KRM “Ambienti” ka njoftuar se ekipet janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës në deponinë e mbeturinave në Sfërkë, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me gjendjen atje.
Sipas njoftimit, çdo vatër zjarri po lokalizohet dhe po trajtohet menjëherë, ndërsa paralelisht po vazhdon mbulimi i zonave me dhe, me qëllim të parandalimit të riaktivizimit të zjarreve dhe stabilizimit të plotë të situatës.
Në njoftim thuhet se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e të gjithë deponisë, është kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje urgjente nga institucionet lokale dhe qendrore, për sigurimin e dheut, makinerive dhe mjeteve të tjera të nevojshme për përshpejtimin e procesit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
KRM “Ambienti” u ka bërë thirrje organizatave, subjekteve politike dhe qytetarëve që të mos e përdorin situatën për qëllime politike, duke theksuar se aktualisht prioritet duhet të jetë bashkëpunimi dhe angazhimi për tejkalimin e gjendjes.
Lidhur me pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, në njoftim sqarohet se fenomeni i dukshëm në zonë është mjegull, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të mos krijojnë panik dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.
