Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka njoftuar se në Drejtorinë për Administratë është krijuar një kënd i dedikuar për fëmijë, me qëllim që më të vegjlit ta kalojnë kohën e pritjes në një ambient të përshtatshëm, derisa prindërit e tyre marrin shërbimet komunale .
Sipas kryetarit Idrizi, kjo synon përpjekjen për modernizimin e administratës komunale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. “Ky është një tjetër hap në përkushtimin tonë për modernizimin e administratës komunale, me synimin që qytetarët të marrin shërbime më të shpejta, më efikase dhe në një mjedis sa më funksional e mikpritës.
Vazhdojmë të krijojmë ambiente më miqësore, më të qasshme dhe më pranë çdo qytetari të Vushtrrisë”, ka deklaruar Idrizi. Këndi për fëmijë është krijuar për t’u ofruar familjeve një ambient më komod gjatë pritjes për shërbime administrative, duke synuar një përvojë më të mirë për qytetarët që frekuentojnë komunën.
