Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të jenë aktive në Kanada, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa rajone të vendit dhe në pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara. Sipas Qendrës Kanadeze Ndëragjencore të Zjarrit Pyjor, aktualisht janë aktive 857 vatra, përfshirë 23 zjarre të reja të regjistruara vetëm gjatë së enjtes.
Shumica e tyre raportohet se vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Tymi i dendur, i shkaktuar kryesisht nga zjarret në veriperëndim të Ontarios, ka mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa është përhapur mbi Liqenet e Mëdha dhe deri në Nju Jork.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit në disa shtete, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura. Në pjesë të Miçiganit dhe Minesotës, cilësia e ajrit është klasifikuar si e rrezikshme. Sipas kompanisë IQAir, Detroiti aktualisht ka cilësinë më të keqe të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis dhe Toronto.
Meteorologët parashikojnë reshje dhe stuhi në Ontario gjatë ditëve në vijim, por sasia e shiut pritet të jetë e pamjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve. Erërat veriperëndimore pritet të vazhdojnë ta bartin tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së edhe gjatë fundjavës.
Ekzistojnë shqetësime se tymi mund të arrijë edhe në New Jersey, ku pritet të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Përmirësimi gradual i cilësisë së ajrit pritet vetëm pas ndryshimit të drejtimit të erërave në fillim të javës së ardhshme.
Zjarret kanë detyruar gjithashtu qindra banorë të komuniteteve indigjene në veri të Ontarios të evakuohen, ndërsa janë raportuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe ndërtesa. Një tren mallrash është rrethuar nga flakët në Ontario, por Hekurudha Kombëtare Kanadeze njoftoi se të gjithë punonjësit janë shpëtuar pa lëndime.
Operacionet hekurudhore në zonën e prekur janë pezulluar përkohësisht. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
