Ekskluzive: Lokali i ri që lidhet me djalin e Shaqir Totajt nën lupën

0%

Një investim i ri që, sipas burimeve të Sinjalit, lidhet me djalin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është bërë objekt i interesimit të institucioneve, pas dyshimeve se gjatë përgatitjeve për hapjen e një lokali në Hotel Therandë është vendosur një konstruksion metalik pa pëlqimet e kërkuara me ligj.

Burime të sigurta i kanë thënë Sinjalit se punimet po zhvillohen në një hapësirë që ndodhet brenda zonës së dytë të mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit, ku çdo ndërhyrje ndërtimore apo vendosje e strukturave të reja i nënshtrohet procedurave të posaçme dhe miratimeve paraprake nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Sipas të njëjtave burime, Drejtoria Rajonale për Trashëgimi Kulturore nuk ka dhënë pëlqim për vendosjen e konstruksionit metalik dhe, lidhur me rastin, i është drejtuar me shkresë Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, duke kërkuar ndërmarrjen e masave në përputhje me kompetencat ligjore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Burimet pretendojnë se konstruksioni i vendosur së fundmi është i njëjti ose i ngjashëm me një strukturë metalike që ishte larguar vite më parë, pas një vendimi të organeve komunale, ndërsa tashmë është rivendosur në kuadër të punimeve për funksionalizimin e lokalit.

Sinjali mëson se Inspektorati Komunal pritet të shqyrtojë pretendimet dhe të konstatojë nëse punimet janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nëse janë siguruar të gjitha lejet dhe pëlqimet e nevojshme nga institucionet kompetente. Rasti ka ngjallur interesim të veçantë publik për shkak se, sipas burimeve tona, investimi lidhet me djalin e kryetarit të Komunës së Prizrenit.

Pikërisht për këtë arsye, çdo veprim institucional pritet të vlerësohet edhe në prizmin e zbatimit të barabartë të ligjit, pa dallim të pozitës apo lidhjeve të personave të përfshirë. Sinjali është në pritje të përgjigjeve zyrtare nga Komuna e Prizrenit, Drejtoria e Inspektoratit, Drejtoria Rajonale për Trashëgimi Kulturore, si dhe nga personat që lidhen me këtë investim.

Çdo reagim i tyre do të publikohet i plotë dhe pa asnjë ndërhyrje. Shënim: Informacioni se lokali lidhet me djalin e kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe pretendimet për mungesë të pëlqimeve bazohen në burime të Sinjalit dhe nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga institucionet kompetente. Për këtë arsye, ato paraqiten si pretendime në proces verifikimi dhe jo si fakte të provuara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com