Protestuesit ia kërkojnë dorëheqjen e Rama thotë se do të largohet kur Shqipëria të jetë në BE

0%

Nga: Vlerë Mehmeti Shpërndaje në: Kërkesa për dorëheqje të Edi Ramës është përsëritur edhe në protestën e radhës, të organizuar të martën në Tiranë. E, Rama ka thënë se nuk do t’i bindet kërkesës dhe se do ta lërë postin, tek pasi Shqipëria të pranohet në Bashkimin Evropian Protesta në Tiranë, të martën ka vijuar për të 17-n ditë me radhë. Ashtu si në ditët e mëparshme, nga ora qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa më pas para objektit të Qeverisë kanë kërkuar largimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Protestuesit kanë kërkuar edhe transparencë rreth projekteve të planifikuara në zonat e mbrojtura në Sazan dhe Zvërnec. “Nuk do të thosha se jam kundër vetë projektit. Të gjithë duam që Shqipëria të zhvillohet dhe të ecë përpara. Duam më të mirën për vendin. Por mënyra se si po bëhen gjërat nuk është në rregull. Ka mungesë transparence dhe kjo është arsyeja kryesore pse shumë prej nesh janë të shqetësuar”, ka thënë protestuesja Erinda Kaca. Protestuesi Larsi Ceco ka thënë se qytetarët e Shqipërisë prej vitesh përballen me padrejtësi të mëdha. “Jemi pjesë e kësaj proteste sepse kemi qenë subjekt i disa prej abuzimeve më të paligjshme në të gjithë Ballkanin sa i përket keqpërdorimit të fondeve dhe, në përgjithësi, keqpërdorimit të demokracisë dhe besimit tonë. Besojmë se shumica e përfaqësuesve në vendin tonë nuk i përfaqësojnë qytetarët, por interesat e tyre personale. Prandaj ndiejmë se është detyra jonë të vijmë sot para Kryeministrisë për të protestuar”, ka thënë ai. E kryeministri Edi Rama në një intervistë që ka dhënë për mediat italiane, ka deklaruar se nuk do t’i bindet kërkesës së protestuesve dhe se do ta lërë postin, tek pasi Shqipëria të pranohet në Bashkimin Evropian. Sipas tij, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për t’u larguar nga detyra. Ai po ashtu ka mbrojtur nismën për investimet në ishullin e Zvernecit, projekt pas të cilit qëndron ndër të tjerë dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump. “Gjëja kurioze është se ende nuk ka një projekt konkret. Ka një ide, një ëndërr për të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë. Po flas për njerëz si Kengo Kuma, Jean Nouvel, Dong Yugan. Kur projekti të jetë gati, do ta bëjmë publik me krenari dhe do të hapim diskutime me ambientalistët. Është ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Dhe nuk ka asnjë synim për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të nisin analizat mjedisore për t’u siguruar që natyra të mbrohet”, ka thënë Rama. Ndërkohë protestuesit janë shprehur se do t’i vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ata e kanë cilësuar mobilizimin, si reagim qytetar ndaj situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Burimi: Koha