Kurti kërkon konsensusin vendimtar: A është afër marrëveshja për

0%

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, vëmendja e skenës politike në Kosovë është zhvendosur te procesi i formimit të institucioneve të reja. Një nga zhvillimet e para pas nisjes së konsultimeve ishte qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila konfirmoi se do të vazhdojë të mbetet në opozitë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se partia që ai drejton do të vazhdojë të qëndrojë si parti opozitare në procesin e formimit të institucioneve të reja.

Edhe pse ka kaluar një periudhë e konsiderueshme nga përfundimi i procesit zgjedhor, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Lëvizja Vetëvendosje, si forca e parë e dalë nga zgjedhjet, ka nisur raundin e parë të konsultimeve me partitë parlamentare, me synimin për të siguruar mbështetjen e nevojshme për krijimin e institucioneve. Megjithatë, takimet e zhvilluara deri më tani nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje konkrete, ndërsa dallimet politike mes palëve vazhdojnë të mbeten të thella.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me partitë e tjera do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke lënë të kuptohet se negociatat ende nuk kanë hyrë në fazën vendimtare. Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë përsëritur qëndrimet e tyre lidhur me bashkëpunimin e mundshëm, duke vendosur kushte dhe vija të kuqe për një marrëveshje eventuale.

Në këtë fazë, vëmendja është përqendruar te pyetja nëse bisedimet do të arrijnë të prodhojnë kompromisin e nevojshëm politik apo nëse vendi rrezikon të hyjë në një periudhë të zgjatur bllokade institucionale. Drama politike që po luhet në skenën politike të Kosovës ka një objektiv të qartë: dobësimin e mëtejshëm të LDK-së.

Qarri: Bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm çështje e vullnetit politik, por edhe përgjegjësi para elektoratit dhe obligim kushtetues ndaj shtetit Për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai tha se zgjedhjet e 7 qershorit nuk i dhanë fund ngërçit politik, duke theksuar se partitë duhet të arrijnë sa më shpejt konsensus për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, pa zvarritur më tej procesin.

“Pas zgjedhjeve të rregullta kushtetuese të 9 shkurtit dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, në Kosovë zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, të cilat megjithëse vendi kaloi afro 19-20 muaj me ngërçe politike e bllokada institucionale, nuk sollën asgjë të re për procesin e formimit të institucioneve dhe serish vetëm sa përcaktuan partinë që do të qeverisë me vendin.

Zgjedhje të cilat nuk ofruan zgjidhje as për zgjedhjen e presidentit, ndaj duke parë se përkundër takimeve të Kryeministrit me përfaqësuesit e PDK-së dhe të LDK-së ende nuk ka marrëveshje konkrete, vazhdimi i lojërave të partive pjesëmarrëse në Parlament nuk duhet lejuar më as nga populli i Kosovës dhe në rast nevoje, ato duhet kundërshtuar edhe me protesta qytetare, në mënyrë që kauzat e inskenuara dhe fiktive, të mos guxojnë më të përdoren si pretekst për ngërçe, bllokada e zvarritje tjera politike.

Duke qenë se gjetja e konsensusit për zgjedhjen e presidentit, është shndërruar në çështjen shumë preokupuese edhe për qytetarët, tek e cila është kthyer e gjithë vëmendja politike dhe publike në Kosovë, prandaj të gjitha përpjekjet e partive në opozitë dhe pozitë, duhet të përqendrohen te formimi i institucioneve të reja dhe zgjedhja e presidentit, në mënyrë që të rifillojë funksionimi normal i shtetit tonë të brishtë” , foli Qarri.

Gani Qarri Më tej, analisti vlerëson se Vetëvendosje duhet të vazhdojë negociatat, veçanërisht me LDK-në, për të siguruar konsensus për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se dështimi për një marrëveshje mund ta çojë vendin sërish në një krizë të re politike.

“Partia në pushtet megjithëse ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin e legjislaturës së re dhe bashkë me minoritetet jo-serbe, i ka të sigurta 61 vota, që janë të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por jo edhe për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ngase pretendohet se gjoja sipas “kushtetutës” nevojitet prania e 2/3-së së deputetëve në Kuvendin me 120 deputet, në mënyrë që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm, fakt që ka shkaktuar krizën politike edhe të këtij viti, duke quar vendin në zgjedhje të parakohshme të 7 qershorit, do duhej të hynte në koalicion me LDK-në, jo me Vjosën presidente, por ministre të jashtme apo edhe zëvendëskryeministre të parë, si kompromis i dyanshëm vullnetmirë.

Ndërsa Kryeministri Kurti i vetëdijshëm se çdo vonesë dëmton procesin politik në vend dhe përçon sinjal të keq për Kosovën si shtet i ri edhe te ndërkombëtarët, ashtu siç ka paralajmëruar, duhet ti qojë deri në fund përpjekjet për arritjen e marrëveshjes dhe të vazhdojnë edhe në ditët në vijim negociata me partitë opozitare, deri në gjetjen përfundimtare të konsensusit të përbashkët për zgjedhjen e presidentit.

Ndryshe nëse subjektet politike, serish dështojnë të gjejnë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, ne ende e kemi të freskët shembullin, se si dështimi për të arritur marrëveshje ndërmjet partive politike për zgjidhjen e presidentit konsensual, në fund të prillit të këtij viti çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit” , shpjegon analisti.

Analisti paralajmëron se mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të reja, duke u bërë thirrje partive dhe deputetëve të marrin përgjegjësi për të zhbllokuar procesin dhe për të siguruar funksionimin normal të institucioneve.

“Zgjedhje që përveçse nuk ofruan zgjidhje për çështjen e presidentit, prodhuan edhe gjendje përafërsisht të njëjtë edhe në skenën politike, kështu që dështimi i serishëm për zgjedhjen e presidentit konsensual, edhe pse ky është vetëm një post më tepër ceremonial, do ta çojë përsëri Kosovën në zgjedhjesh tjera të parakohshme – të katërtat me radhë brenda vetëm dy vitesh, të cilat përpos se nuk janë aspak të nevojshme, ato përsëri nuk do të sillnin zgjidhjen e çështjes së presidentit, andaj Kosova nuk mund bllokohet as nuk guxon për shkak të tekeve të partive politike, të detyrohet më të vendnumëroj, dhe të mbajë çdo tre-katër muaj zgjedhje, pas zgjedhjesh, që do ta dëmtonin më së shumti Kosovën dhe popullin e saj.

Si deputetët e zgjedhur ashtu edhe partitë pjesëmarrëse në parlament, të vetëdijshëm se pa marrëveshje politike, vendi mund të shkojë serish në zgjedhje të parakohshme, përfundimisht duhet të vetëdijesohen dhe ta kuptojnë njëherë e mirë barrën e përgjegjësisë që mbajnë, sepse bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm çështje e vullnetit politik, por edhe përgjegjësi para elektoratit dhe obligim kushtetues ndaj shtetit, andaj të paktën kësaj radhe deputetët të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, duhet të dëshmojnë se janë në nivelin e përgjegjësisë, ngase do të ishte edhe në nderin e tyre që ta plotësojnë kuorumin e nevojshëm në Kuvend dhe të kontribuojnë edhe personalisht për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik dhe të shmanget çuarja e vendit edhe në një palë zgjedhje të dëmshme dhe fare të panevojshme.

Vetëm në këtë mënyrë, mund të marrë fund odiseiada e ngërçeve e bllokadave të pazakonta politike dhe të garantohet puna e papenguar e institucioneve të vendit, si dhe funksionimi normal i shtetit të Kosovës, i cili nuk mund të vazhdojë më-me ngërçe e bllokada të inskenuara nga partitë aktuale, që marrin paga të majme nga taksapaguesit e varfër të vendit, qasje të cilat nuk kanë as mbështetje reale juridike dhe shërbejnë vetëm për zvarritjen e qëllimshme të proceseve për formimin e institucioneve të vendit dhe pengimin e funksionimit normal të shtetit e mbarëvajtjes politike të Republikës së Kosovës” , përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Tahiraj: Dobësimi i LDK-së do të ishte njëkohësisht edhe dobësim i shtyllës kryesore të orientimit euroatlantik Kurse, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe veprimtari nga diaspora Saim Tahiraj.

Veprimtari argumenton se, sipas vlerësimit të tij, veprimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje nuk synojnë vetëm formimin e institucioneve, por edhe dobësimin politik të LDK-së. Ai shpreh dyshimin se takimet dhe negociatat aktuale mund të jenë pjesë e një strategjie për ta dëmtuar pozitën e LDK-së, edhe në rast se arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Lufta politike e krahut të majtë, e trashëguar nga LPK-ja dhe e vazhduar nga pasardhësit e saj politikë – VV-ja, PDK-ja dhe AAK-ja – nuk ka pushuar asnjëherë. Objektivi i saj, sipas bindjes sime, mbetet i njëjtë: dobësimi deri në shkatërrimin e LDK-së, me qëllim që drejtimi i shtetit të Kosovës të mbetet përfundimisht në duart e së majtës.

Takimi ndërmjet kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, u paraqit para opinionit si një takim pa rezultat dhe pa marrëveshje. Megjithatë, ekziston mundësia reale që kjo të ketë qenë vetëm një lëvizje taktike, e menduar për t’i hapur rrugë kontakteve të reja dhe për të krijuar mundësinë e një koalicioni me LDK-në.

Nëse kjo tezë rezulton e saktë, atëherë çdo hap politik i z. Kurti do të ketë një synim të vetëm: ta dobësojë LDK-në politikisht, ta komprometojë para elektoratit të saj dhe, në fund, ta largojë nga skena si faktor vendimmarrës. Formimi i institucioneve shtetërore nuk duket të jetë prioriteti kryesor; prioritet duket të jetë përfitimi politik në dëm të kundërshtarit.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje për një koalicion të mundshëm ndërmjet VV-së dhe LDK-së, për të cilin unë mbetem skeptik, ekziston rreziku që një marrëveshje e tillë të shërbejë vetëm si instrument për ta konsumuar politikisht LDK-në dhe më pas për ta nxjerrë atë nga loja”, u shpreh ai.

Saim Tahiraj Duke përmbyllur bashkëbisedimin, veprimtari u bëri thirrje drejtuesve dhe anëtarëve të LDK-së të tregojnë maturi, unitet dhe kujdes në vendimmarrje, duke argumentuar se dobësimi i partisë do të ndikonte jo vetëm në pozitën e saj politike, por edhe në orientimin euroatlantik dhe shtetformues të Kosovës.

“Për këtë arsye, lidershipi i LDK-së duhet të tregojë maturi, urtësi dhe vendosmëri. Çdo vendim duhet të peshohet me kujdes, sepse pasojat nuk do të preknin vetëm partinë, por edhe vetë orientimin politik të shtetit të Kosovës.

Dobësimi i LDK-së, sipas bindjes sime, do të ishte njëkohësisht edhe dobësim i shtyllës kryesore të orientimit euroatlantik dhe të filozofisë shtetformuese që ajo ka përfaqësuar ndër vite. Sulmet e pandërprera politike nga kundërshtarët majtist, të shoqëruara me veprimet e atyre që shumë i konsiderojnë si “kolona e pestë” brenda vetë LDK-së, mund të kenë pasoja të rënda.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, nevojitet syçeltësi, unitet, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri, nga çdo anëtar i LDK-së, prej më të thjeshtit e deri te Kryesia Qendrore. Historia ka dëshmuar se sfidat më të mëdha nuk fitohen me emocione, por me mençuri, unitet dhe besim në vlerat mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja. Pikërisht këto vlera duhet të mbrohen edhe sot” , foli Tahiraj për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot