Rina Lipa, motra më e vogël e Dua Lipës, ka nisur një fushatë të re me ASOS, ndërsa shitësi online i modës publikoi një seri fotosh ku ajo prezanton kombinime të ndryshme veshjesh. Kërcimtarja dhe modelja 25 vjeçe, është cilësuar më parë si një nga “Gen Z It Girls”, dhe fotosesioni i saj më i fundit dëshmon se ajo vazhdon ta mbajë këtë status.
Rina Lipa do të bashkëpunojë me ASOS në rolin e Drejtoreshë Kreative për Dilemat e Stilit ku do t’i ndihmojë ndjekësit të zgjidhin dilemat e përditshme të stilit përmes përmbajtjeve të publikuara në TikTok dhe Instagram. Ky rol bazohet në idenë se shumë blerës përballen me “dilema stili”, ndërsa Rina do të ofrojë zgjidhje dhe frymëzim përmes këshillave dhe kombinimeve të saj të modës.
Në mbishkrimin e postimit thuhej: “Drejtoresha jonë e Dilemave të Stilit sapo zbuloi vendin që ka të gjitha përgjigjet. Gardëroba juaj e verës tashmë është gati, e stiluar nga @rinalipa”. Një rol i ngjashëm ishte mbajtur më parë nga influencerja irlandeze Olivia O’Neill, e njohur si Out of Office Director e ASOS, e cila tani ia ka kaluar stafetën Rinës.
Në videon që shënon nisjen e bashkëpunimit, Rina i përgjigjet një telefonate nga Olivia, e cila i thotë se i ka lënë në tavolinë gjithçka që i nevojitet për rolin e ri. Në një seri postimesh të publikuara në Instagramin e ASOS, Rina shfaqet me disa kombinime elegante. Në njërin prej tyre ajo vesh një fustan mini me grep në ngjyrë të verdhë, të zbukuruar me thekë argjendi.
Në një tjetër paraqitje, ajo modelon një fustan mini të argjendtë me prerje të lirshme, të kombinuar me këpucë të zeza me rrip në pjesën e pasme, ndërsa flokët ngjyrë kafe i mban të lëshuara. Në një tjetër kombinim, Rina shfaqet me një bluzë kafe me lidhje pas qafe, pantallona të shkurtra xhins dhe atlete Nike, teksa pozon e shtrirë mbi një qilim blu.
Nuk është aspak çudi që Rina u zgjodh për këtë rol, pasi revista Tatler e ka cilësuar më parë si “Gen Z It Girl që duhet ta njihni”. Që para se të mbushte 20 vjeç, ajo kishte modeluar për Red Valentino, kishte realizuar një bashkëpunim me Nasty Gal dhe së fundmi ka siguruar rolin e saj të parë të madh në një film horror.
