Shpërndaje në: Koncertet që ringjallin këngën e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, tashmë janë bërë traditë dhe shenjë dalluese e Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”. Hapësira para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është shndërruar në skenë ku kujtimi për të jehon nëpërmjet emrave të shquar të muzikës. Tashmë ka nisur koncerti në kuadër të edicionit të gjashtë të RLIOF-it.
Koncerti nisi me 20 minuta vonesë. Koncerti është hapur me këngën “Mora testi” interpretuar nga Alma Bektashi pasuar nga “Dola moj dola” nën interpretimin e Malvina Likajt. Seria e këtyre koncerteve do të vazhdojë në Ferizaj, të enjten dhe në Istog të shtunën.
RLIOF-i i gjashtë u hap më 4 korrik me koncertin e rock-grupit “Minatori” si një ftesë për t’i tejkaluar zhanret dhe në frymën e motos së sivjetme të festivalit, “Play Music, Not War”. Po atë ditë solli edhe ekspozitën e fotografit të famshëm, Fadil Berisha. “Before Beauty / After Beauty” solli një rrëfim elegant për të bukurën e përjetshme.
Në kuadër të edicionit të gjashtë, organizohen edhe masterklasë, koncerte për talentë të rinj, mbrëmje me muzikë operistike e sivjet yjet e festivali janë sopranoja Elbenita Kajtazi dhe tenori Charles Castronovo. Festivali kulmon, si zakonisht, me gala-mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 29 korrik, kur edhe mbyllet edicioni i sivjetmë.
