Federata e Basketbollit e Kosovës ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar. 🇽🇰 Nga 1 deri më 7 korrik, delegatja teknike e FIBA-s, Vlora Braha, ishte pjesë e ekipit të përzgjedhur nga FIBA për monitorimin e të gjitha ndeshjeve të Dritares së Tretë të Kualifikimeve për Kupën e Botës FIBA 2027.
Puna u zhvillua në selinë qendrore të FIBA-s në Gjenevë, ku u monitoruan ndeshje nga katër kontinente: Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika. Braha ishte pjesë e një ekipi prej vetëm shtatë profesionistësh, të cilët kishin përgjegjësinë për monitorimin e të gjithë programit të kësaj dritareje kualifikuese në nivel global.
Ky angazhim kërkoi profesionalizëm të lartë, përgjegjësi të madhe dhe njohje të thellë të organizimit të garave ndërkombëtare. Për herë të parë, një përfaqësuese e FBK-së u angazhua në një proces të tillë në selinë qendrore të FIBA-s, duke e bërë këtë një moment të veçantë dhe historik për Federatën.
Gjatë kësaj jave intensive, Braha pati mundësinë të punojë krah për krah me ekspertë të nivelit më të lartë të basketbollit botëror, duke fituar përvojë të çmuar mbi mënyrën se si monitorohen, analizohen dhe koordinohen garat ndërkombëtare nga niveli më i lartë i organizimit.
Kjo përvojë përbën një vlerë të shtuar për FBK-në dhe një tjetër dëshmi të besimit që FIBA po u jep kuadrove të basketbollit të Kosovës.
