Sipas hulumtuesit të “Demokracia në Veprim”, Eugen Cakolli, me numërimin e votave të mbetura pritet të ketë ndryshim në shpërndarjen e mandateve, ku Lëvizja Vetëvendosje pritet të arrijë në 53 ulëse dhe ky të jetë rezultati përfundimtar për këtë subjekt, ndërsa ndryshimet e mundshme do të prekin kryesisht partitë opozitare në garën për mandatin e fundit. Cakolli potencoi se kur kanë mbetur edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë për t’u numëruar, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë. Sipas tij, “sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate”, duke shtuar se “me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik”. Cakolli thekson se ende mbetet e paqartë se kujt do t’i takojë mandati që mund të humbet në këtë fazë të fundit të numërimit. “Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”, shprehet ai. Sipas tij, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë, ku diferenca mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit. Ai shton se vendimtar mund të jenë edhe votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës dhe “kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në”. Ndërkohë, Cakolli thekson se AAK pritet të mbetet në 7 ulëse. Sa i përket procesit, ai bën të ditur se numërimi i votave me postë pritet të përmbyllet më së largu nesër paradite, ndërsa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Më pas, në varësi të vendimeve për rinumërim, procesi i numërimit pritet të përfundojë në fund të kësaj jave.
