Kombëtarja e Francës po përgatitet për përballjen vendimtare ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, me besimin se suksesi i saj nuk është ndërtuar vetëm mbi golat e Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele, por edhe mbi unitetin e krijuar larg fushës së lojës. Skuadra e drejtuar nga Didier Deschamps synon të sigurojë finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës.
Forca e ekipit buron nga bashkëpunimi i vazhdueshëm mes lojtarëve, të cilët zhvillojnë analiza dhe diskutime private për ndeshjet, pa praninë e stafit teknik. Futbollistët e “gjelave” ndajnë mendime, analizojnë performancat dhe sfidojnë njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje, duke marrë përgjegjësi kolektive për ecurinë e skuadrës.
Kjo kulturë ka ndikuar drejtpërdrejt në paraqitjet e Francës gjatë turneut. Në fushë, “Les Bleus” kanë treguar ekuilibër mes forcës sulmuese dhe disiplinës mbrojtëse. Kylian Mbappe ka realizuar tetë gola, ndërsa Ousmane Dembele ka shënuar pesë, por po aq i rëndësishëm ka qenë edhe angazhimi i sulmuesve në fazën mbrojtëse dhe organizimi i të gjithë ekipit në momentet më të vështira.
Paraqitjet në fushë janë pasqyrim i marrëdhënieve të forta të ndërtuara jashtë saj, duke e konsideruar frymën e grupit si një nga armët kryesore të Francës në këtë Botëror. Ky turne shënon gjithashtu fundin e një epoke për Didier Deschamps, i cili ka vendosur të largohet nga drejtimi i kombëtares pas Kupës së Botës.
Trajneri, që mori drejtimin e Francës në vitin 2012 dhe e udhëhoqi drejt triumfit në Botërorin 2018, si dhe në një tjetër finale katër vite më vonë, ka përjetuar edhe një humbje të rëndë personale gjatë këtij edicioni, pasi nëna e tij ndërroi jetë gjatë fazës së grupeve dhe një arsyeje për sukses do të jetë edhe ajo.
