Një deklaratë e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta “spastronte etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime në Kosovë. “Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën.
Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”- ka thënë ajo gjatë një në televizionin serb “Kurir”. Paunoviq është e njohur për qëndrimet e saj kundër Kosovës.
Deklaratës së saj i është kundëpërgjigjur, ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti duke thënë se kjo tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale. “Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë.
Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”- Hoti ka shtuar se kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është kërcënim vetëm për Kosovën.
“Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”- shtoi ai.
Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviq, rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
“Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë.
Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës”- Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli – teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
