A keni pronë të dhënë me qira, apo Airbnb? ATK me njoftim të

0%

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

ATK thekson se në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.

Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke: u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar; deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

ATK rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave.

Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë: regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore; vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon; ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

ATK thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Tutje bëhet e ditur se për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.

Burimi: Telegrafi