Pas certifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore, partitë politike kanë nisur konsultimet për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe hapat drejt formimit të institucioneve të reja. Ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza.
Pas takimit me Kurtin, vet Hamza deklaroi se PDK do të vazhdojë të ketë rolin e saj si parti opozitare në Kuvend, duke theksuar se do të jetë konstruktive për çështjet me interes për vendin.
Kurse, pas takimit me Abdixhikun, Kurti tha se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive, ku u trajtuan zhvillimet politike, dinamika institucionale dhe afatet për konstituimin e institucioneve. Ai bëri të ditur se ende nuk ka marrëveshje konkrete, por shprehu optimizëm për vazhdimin e bisedimeve.
Anëtari i Guxo, Luan Gacaferi, se beson që opozita do ta çojë vendin sërish në zgjedhje. Sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje me PDK-në, ndërsa një marrëveshje me LDK-në do të ishte e pazbatueshme për shkak të përçarjeve brenda kësaj partie. “Unë vazhdoj fort me besu qe prapë opozita do na dërgoj në zgjedhje!
Me PDK nuk ka e as nuk do ketë asnjë marrëveshje, sepse PDK vazhdon me besu në strategjinë e zgjedhjeve të një pas njëshme e gjithmon me shpresën se do e lodhin popullin me zgjedhje e kështu arrijnë ta çojnë VV nën 40%!
Me LDK çdo marrëveshje e Albinit është e kot sepse dihet tash edhe botërisht qe LDK është ndarë në tri LDK e të cilat veprojnë të pavarura nga njëra tjetra, gjë qe e bënë te pa zbatueshme çfardo marreveshjeje qe Kurti me Abdigjikun do të arrinin sëbashku!
Sepse deputetet e dy LDK’ve, tjera nuk do qëndrojnë në parlament për ta krijuar kuorumin për zgjedhjen e presidentit, pavarsisht emrit të kandidatit!”, tha ai. Ai shtoi se dy grupet e tjera brenda LDK-së synojnë zgjedhje të reja për të larguar Lumir Abdixhikun nga drejtimi i partisë, duke vlerësuar se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje në vjeshtë ose dimër.
“Prandaj edhe dy LDK’të tjera(2 e 3) e kanë zgjedhur si strategji çuarjen në zgjedhje vendin e duke e ditur se prapë Abdigjiku i humb zgjedhjet e shohin si të vetmen mundësi për ta hjekur qafe Abdigjikun nga kreu i LDK’së Unë e shohë Kosovën prapë në zgjedhje në vjeshtë ose në dimër!”, përfundoi ai për “Bota sot”.
