Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se më 1 korrik janë shqiptuar gjithsej 24 kundërvajtje ndaj mjeteve që kanë tejkaluar peshën e lejuar gjatë qarkullimit në rrugët e vendit. Sipas ministrisë, vlera totale e gjobave arrin në 13,910 euro, nga të cilat 13,140 euro u janë shqiptuar operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro personave fizikë.
Përmes një reagimi në Facebook, Ministria e Infrastrukturës theksoi se do të vazhdojë të zbatojë me rigorozitet ligjin, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
“Kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që, përmes mbingarkesës së mjeteve, rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe shkaktojnë dëmtime në rrugët tona”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimet ligjore të peshës, duke theksuar se shkeljet do të sanksionohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
