Franca ka mbyllur përkohësisht tre reaktorë bërthamorë për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin, ndërsa edhe shtatë reaktorë të tjerë mund të detyrohen të ulin prodhimin e energjisë në ditët në vijim.
Kompania shtetërore e energjisë EDF bëri të ditur se masa është ndërmarrë për të respektuar rregullat mjedisore, pasi uji i përdorur për ftohjen e reaktorëve nuk mund të kthehet në lumenj me temperatura që rrezikojnë ekosistemin ujor. Sipas EDF-së, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë bërthamore, pasi reaktorët janë të projektuar për të funksionuar edhe në temperatura të larta.
Kufizimet synojnë vetëm mbrojtjen e florës dhe faunës në lumenj. Aktualisht janë jashtë funksionit reaktori i dytë në centralin Golfech, reaktori i tretë në Bugey dhe reaktori i dytë në Chooz. Së bashku, këta tre reaktorë përfaqësojnë rreth 6 për qind të kapacitetit total bërthamor të Francës.
Sipas parashikimeve aktuale, reaktori në Bugey pritet të rikthehet në punë më 19 korrik, ai në Golfech më 22 korrik, ndërsa reaktori në Chooz më 25 korrik. EDF thekson se këto data mund të ndryshojnë në varësi të kushteve të motit.
Ndërkohë, Ministria franceze e Ekonomisë ka lejuar përkohësisht tejkalimin e kufijve të temperaturës së ujit në lumin Rhône pranë centralit Bugey, me qëllim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Franca detyrohet të ndalojë reaktorë bërthamorë për shkak të temperaturave ekstreme, pas valës rekord të të nxehtit që goditi vendin në muajin qershor, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
EDF ka bërë të ditur se po investon 8.7 miliardë euro gjatë 15 viteve të ardhshme për të përshtatur centralet bërthamore dhe infrastrukturën energjetike ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, me qëllim ruajtjen e prodhimit edhe gjatë valëve të ardhshme të të nxehtit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit! ::!
