Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në konsultimin publik me rreth 50 biznese të Gjilanit, duke shënuar hapin e dytë në procesin e ndërtimit të Parkut Industrial në këtë komunë, më shumë se një muaj pas bartjes së pronës nga Komuna e Gjilanit në pronësi të Ministrisë për realizimin e këtij projekti.
Sipas njoftimit, qëllimi i takimit ishte dëgjimi i rekomandimeve dhe nevojave të komunitetit të biznesit në fazën e projektimit të Parkut Industrial, me synim që ky projekt zhvillimor të reflektojë kërkesat reale të ndërmarrësve dhe të ndërtohet në partneritet të ngushtë me ta.
Së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin që Parku Industrial pritet të ketë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillim industrial.
“Gjatë takimit u bë e ditur se studimi i fizibilitetit për projektin tashmë është përfunduar nga Komuna e Gjilanit, ndërsa faza e radhës është hartimi i projektit përfundimtar.
Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej 150 hektarësh, duke u renditur ndër zonat industriale më të mëdha në Kosovë dhe duke krijuar mundësi të reja për tërheqjen e investitorëve strategjikë dhe zhvillimin e sektorëve industrial”, thuhet në njoftim.
Sipas konceptit të projektit, Parku Industrial do të ndërtohet mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër, me furnizim me energji të pastër përmes paneleve solare dhe energjisë së erës, si dhe me integrimin e elementeve të ekonomisë qarkore dhe ripërdorimit të materialeve në procese të ndryshme industriale.
Brenda parkut parashihet edhe organizimi i sektorëve prodhues sipas veprimtarive të njëjta ose të ngjashme. Ministrja Kusari-Lila theksoi se ky konsultim publik përfaqëson fazën e dytë të bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Gjilanit, me synimin që vizioni për Parkun Industrial të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit.
Parku Industrial do të ndërtohet në fshatin Lipovç i Epërm, pranë magjistrales Prishtinë–Gjilan, një lokacion me pozitë strategjike që pritet të krijojë vende të reja pune, të promovojë produktet vendore dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të rajonit të Gjilanit.
