Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, nuk i kurseu ironitë ndaj Partisë Demokratike. Ai u shpreh se arsyeja pse deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë këtë seancë, ishte se kanë denoncuar në SPAK kryeministrin Edi Rama për koncertin e Kanye West. “E morëm vesh edhe arsyen pse PD nuk është sot në seancë, sepse kanë shkuar të kallëzojnë penalisht edhe Kanye West.
Pra, u gjet edhe një armik tjetër i shqiptarëve. Hyn në listën e lajmeve qesharake në botë, ku një parti politike, me një prezencë jo të vogël në Kuvendin e Shqipërisë, diku te 35 deputetë regjistron Grupi Parlamentar i PD… Më e bukura është që janë aq qesharakë, saqë edhe kallëzimin e kanë bërë në emër të Grupit Parlamentar të PD.
Kanë kallëzuar këngëtarin apo autoritetet që kanë organizuar një event të atyre përmasave. Madje pashë edhe një llogaritare që e përdor PD herë pas here për të bërë llogaritë dhe që kundërshtonte gjetjet e ekspertëve se përfitimet e Shqipërisë në aspektin ekonomik janë të mëdha, konstatime të cilat u bënë menjëherë edhe në vende të tjera.
Por besoj se të gjithë biem dakord që ai moment, apo ajo ditë, nuk ishte thjesht një ditë, por një imazh për Shqipërinë” , tha ndër të tjera Balla.
