Barcelona është e gatshme të dëgjojë oferta për Ferran Torresin gjatë kësaj vere, pasi rinovimi i kontratës së sulmuesit do ta detyronte klubin katalanas t’i paguante Manchester Cityt një shumë shtesë prej rreth tetë milionë eurosh.
Sipas raportimit të The Athletic, Torres po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa deri më tani palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Shkak është një klauzolë e përfshirë në transferimin e tij nga Manchester City në fund të vitit 2021, sipas së cilës Barcelona duhet të paguajë edhe 7-8 milionë euro shtesë nëse reprezentuesi spanjoll firmos kontratë të re. Nëse kjo ndodh, kostoja totale e transferimit të Torresit do të arrinte në rreth 73 milionë euro.
Për këtë arsye, drejtuesit e Barcelonës po shqyrtojnë seriozisht shitjen e 26-vjeçarit gjatë këtij afati kalimtar, në vend që të angazhohen në rinovimin e kontratës së tij. Torres iu bashkua Barcelonës nga Manchester City në dhjetor të vitit 2021 dhe ka qenë një alternativë e rëndësishme në repartin ofensiv të skuadrës.
Ndërkohë, kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini, raportohet se është një nga klubet e interesuara për transferimin e sulmuesit spanjoll gjatë kësaj vere.
