“Studentët në bllokadë” të Fakultetit Juridik në Novi Sad janë shqetësuar nga vizita e presidentit shqiptar, Bajram Begaj në Luginë të Preshevës, më 8 korrik, duke pyetur, siç kanë bërë në një reagim, nëse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përgatit terrenin për të “shitur edhe një pjesë të territorit të Serbisë” Në reagimin e tyre, të titulluar “Tradhti e lartë nën velin e territ informativ”, studentët, të cilët janë pjesë e grupimit kundër Vuçiq, qe gati dy vjet, kritikuan mediat pro qeveritare, duke thënë se ato nuk raportuan për vizitën e Begajt në Bujanoc dhe Preshevë.
“Derisa në Kosovë serbët arrestohen për simbole dhe këngë serbe, ndërsa nuk u lejohet të kalojnë pikat administrative dhe të hyjnë në shtëpitë e tyre, presidenti shqiptar, nën velin e errësirës mediatike, vjen në jug të Serbisë sikur të lëvizte nëpër shtetin e vet”, thuhet në një pjesë të reagimit të studentëve, transmeton KosovaPress.
“Pas kësaj, dëgjojmë deklaratën e kryetares së Preshevës se Presheva dhe Lugina e Preshevës janë pjesë e pandashme e botës shqiptare”.
Studentët kanë ngritur edhe pyetjen tjetër “pse asgjë nga kjo nuk mund të shihej apo lexohej në mediat pro regjimit (dhe, rrjedhimisht, as në RTS)?” . ‘Nga çfarë kanë frikë dhe a po përgatitet terreni që Aleksandar Vuçiq të shesë edhe një pjesë të shtetit serb?”, pyetën ata.
“Kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se është tradhtare, ndërsa presidenti i Serbisë po tregon se nofka që i kanë vënë qytetarët e Serbisë i përshtatet plotësisht”.
Në reagimin e studentëve thuhet se qeveria në Serbi “prej vitesh mbijeton duke u mbështetur në patriotizëm të rremë dhe paraqitet si mbrojtëse e interesave kombëtare, ndërsa me veprimet e saj dëshmon se është gjithçka tjetër, vetëm jo patriotike”.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se Bajram Begaj kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme nga autoritetet serbe për vizitën në jug të Serbisë. “Ata kërkuan rregullisht dhe morën të gjitha lejet nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë, jo për presidentin e diçkaje (dikujt) tjetër”, tha presidenti serb.
I pyetur nëse personat e armatosur me armë të gjata, për të cilët u bë shumë zhumrë në Serbi, që siguruan vizitën e Begajt në Bujanoc ishin pjesëtarë të forcave shqiptare apo serbe, Vuçiq u përgjigj shkurt: “Tanët”.
