Diplomat e kontestuara

0%

Një hulumtim i KALLXO.com shpërfaq dyshime se në disa shkolla të Kosovës punojnë mësues të cilët kanë diplomuar në programe të palicencuara. Deri më tani janë zbuluar vetëm dy mësuese që kanë diplomuar në programe të palicencuara dhe të paakredituara. Ato janë toleruar për vite me radhë të japin mësim pa i penguar askush.

Këtë problem, KALLXO.com e ka zbuluar duke gjurmuar historinë e punësimit të dy mësueseve nga Peja, të cilat punojnë për më shumë se 15 vjet në Shkollën Fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë. Mësueset Rezolita Gorani dhe Luljeta Kurhasani nuk kanë pranuar të flasin para kamerës se me çfarë diplome punojnë në shkollë.

Prapa kamerave, Luljeta Kurhasani i ka thënë ekipit të KALLXO.com se e kishin kuptuar për çështjen e diplomave nga të tjerët, e jo nga institucioni ku kanë diplomuar. “ Kemi luftu për me i pasë të drejtat tona. Për mos me na shku dëm shkolla. Kemi shku në Ministri, e kemi kontaktuar sa herë Ministrinë, gjithmonë secila zyre ta ka dhanë përgjigjen ndryshe-ndryshe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por gjithmonë e kemi pas parasysh që është ligji, që është në proces çështja, edhe me kohë na lajmërojnë çka ka me ndodh me neve. Ma nuk kam pas informacione.” – ka deklaruar Kurhasani. “Jo, unë para kamerave nuk dua kurrfarë interviste.” – ka thënë Rezolita Gorani.

Mejreme Shatri, drejtoresha e Shkollës “Lidhja e Prizrenit”, ka deklaruar se nuk ka shumë të dhëna për shkak se punësimi i mësueseve ndodhë nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA). Shatri ka thënë se i posedojnë diplomat e dy mësueseve Gorani e Kurhasani.

“Për të tjerat, informacione që juve ju duhen si gazetarë, Kallxo.com, mund t’i kërkoni dhe t’i gjeni në DKA, sepse DKA-ja është punëdhënës jo i vetëm shkollës sonë, po i të gjitha shkollave të Komunës së Pejës. Pastaj Ministria janë në dijeni për çdo gjë.” – tha ajo.

Gjatë intervistës, Shatri nuk ka treguar nëse i ka parë ndonjëherë licencat e dy mësueseve, të cilat po ashtu kërkohen për ta ushtruar profesionin e mësimdhënësit. Ajo e mohoi se ka biseduar ndonjëherë me koleget për shkollimin e tyre. “Ka dy diku 16-17 vite që punojnë këtu në shkollën tonë, janë mësuese të dalluara.” – ka shtuar Shatri.

KALLXO.com ka kontrolluar diplomat e dy mësueseve që janë shpallur të zellshme në Pejë. Ato kanë diplomuar në Kolegjin “Vizioni Evropian” në Pejë më , i cili nuk e kishte të licencuar programin ku studiuan mësueset. Sipas këtyre diplomave, Gorani e Kurhasani ishin regjistruar në kolegjin privat në vitin akademik 2006/2007.

Kolegji “Vizioni Evropian” me vendim të Fehmi Ismailit, ish-sekretarit të Ministrisë së Arsimit, të datës , kishte qenë i licencuar në disa programe, por jo në programet e Fakultetit të Edukimit me arsyetimin se nuk kishte pasur hapësirë të mjaftueshme për këtë fakultet dhe nuk kishte kuadër të dëshmuar akademik.

Ministria e Arsimit e ka konfirmuar për KALLXO.com se diplomat e dy mësueseve sipas vlerësimit të tyre nuk janë të vlefshme.

“Sipas vendimit përkatës të vitit 2015 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, diplomat të datës të Rezolita Goranit dhe të datës të Luljeta Kurhasanit, të lëshuara nga Kolegji “Vizioni Evropian” në Pejë, nuk figurojnë si të vlefshme për njohje zyrtare.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në përgjigjen e tyre, Ministria e Arsimit përmend vendimin e ish-ministrit Arsim Bajrami të vitit 2015. Në anën tjetër, të dy mësueset kanë kontratë me afat të pacaktuar nga viti 2024. Naser Gega, drejtor i Arsimit në Pejë e arsyeton këtë se ato kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune, por sipas tij do të rikualifikohen. “Që të dyjat janë mësuese të mira.

Njëra bile ka qenë mësuese e vitit këtu në qytetin e Pejës, që e kemi pasë. Në aspektin profesional nuk kanë vërejtje. Në aspektin ligjor, besoj se jemi në rregull përderisa nuk ka pasë, nuk ka ndodh kjo, pas kërkesës, vendimit të Ministrisë që s’kemi të drejt me marr [në punë] me fakultete private.” – ka thënë Gega. “Çështja e licencës është ngritë tash vonë.

Nuk ka qenë më herët në këtë nivel e ngritur dhe tash jemi para një akti ku ne duhet ta kemi parasysh se si të veprojmë tutje. Ato kur janë punësuar, nuk e kanë pas çështjen e licencës, nuk i kanë pas këto kërkesa çfarë janë akute sot. Këtu është halli.” – ka shtuar ai duke thënë se kanë mësimdhënës tjetër të palicencuar.

Përpjekjet për kualifikim të të diplomuarve të kolegjeve private në UP Qindra njerëz vlerësohet të kenë ndjekur programe të tilla në vend, ndërsa Ministria e Arsimit për të kontrolluar cilësinë kishte vendosur të krijonte një mekanizëm hibrid.

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami në vitin 2015 kishte krijuar hapësirë që mësuesit e diplomuar në universitetet apo kolegjet me programe të palicencuara të mund të ndiqnin një program kualifikimi në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës e më pas këto diploma të vlenin për punësim.

Vendimi i datës i ish-ministrit Bajrami identifikon të diplomuarit në programe të palicencuara në: Fakultetin e Edukimit në Kolegjin “Universum” – Dega Ferizaj, të regjistruar në vitin akademik 2007/2008; në Fakultetin e Edukimit në Kolegjin “Gjilani”, të regjistruar në vitet akademike 2006/2007 dhe 2007/2008, si dhe në Fakultetin e Edukimit në Kolegjin “Vizioni Evropian” në Pejë, të regjistruar në vitet akademike 2006/2007 dhe 2007/2008.

Bajrami arsyetohet se kur e kishte marrë detyrën e ministrit ishte përballur me një situatë të krijuar më herët dhe se “për shkak të kufizimeve dhe detyrimeve ligjore që burojnë nga legjislacioni në fuqi, nuk ka qenë e mundur licencimi apo njohja e drejtpërdrejtë e programeve që nuk i plotësonin kriteret ligjore të përcaktuara.” “Qëllimi i Ministrisë nuk ka qenë të dëmtohen studentët apo të vihet në pikëpyetje e ardhmja e tyre profesionale.

Pikërisht për këtë arsye kam iniciuar dhe kam nënshkruar vendimin që krijoi një rrugë zgjidhjeje përmes Programit për Avancimin e Kualifikimit, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës.” – ka thënë Bajrami për KALLXO.com.

Sipas ish-ministrit, programi i Avancimit të Kualifikimit të Mësimdhënësve u mundësoi të diplomuarve të plotësonin standardet akademike dhe profesionale të kërkuara, të harmonizonin kualifikimet e tyre me kërkesat ligjore dhe të vazhdonin rrugën e licencimit dhe punësimit në sistemin arsimor.

“Prandaj, ky vendim nuk ishte një masë kufizuese, por një zgjidhje ligjore, akademike dhe humane, e cila mbrojti interesin e studentëve, garantoi cilësinë në arsim dhe siguroi respektimin e standardeve të shtetit të Kosovës.” – ka potencuar ai.

Pas vendimit të 2015, Bajrami kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës më , për avancimin e pedagogëve që i kishin përfunduar studimet Bachelor për tre, katër apo pesë vjet, dhe ishin duke punuar si edukatorë, mësues klase e mësimdhënës të Edukatës Qytetare. Në atë kohë, rektor i UP-së ishte profesori Marjan Dema.

Edhe këtu ishte menduar për të diplomuarit në tri Fakultetet e Edukimit të tri kolegjeve private që ishin përmendur edhe në vendimin e gushtit 2015. “Kjo marrëveshje bazohet në vendimet e lëshuara nga MASHT me nr.232/01B të datës dhe Nr.230/01B të datës .

Me qëllim të realizimit me sukses të këtij programi, UP-ja do të inkorporojë Programin e Avancimit të Pedagogëve në kuadër të Programit të përgjithshëm të AKM-së (Avancimit të Kualifikimit të Mësimdhënësve).” – thuhet në memorandumin e datës .

Ideja e Programit për Avancimin e Pedagogëve ishte që kandidatët që vinin nga tri kolegjet private, ta përfundonin atë për dy vjet e ta fitonin diplomën Bachelor të Edukimit, ekuivalente me diplomën e fituar në kuadër të Programit të AKM-së. Aty përmendet se AKM zbatohet nga viti 2010/2011 dhe ofrohet nga UP.

Dy vjet pas pavarësimit si shtet, Ministria e Arsimit kishte menduar t’i avanconte mësimdhënësit e diplomuar për dy vjet në Shkollat e Larta Pedagogjike. KALLXO.com ka siguruar memorandumin e mirëkuptimit mes Ministrisë e UP-së të datës , për Programin e Avancimit të Kualifikimit të Mësimdhënësve, i cili ishte nënshkruar nga ish-ministri Enver Hoxhaj dhe ish-rektori Mujë Rugova.

Në marrëveshje me UP-në, Ministria e Arsimit kishte kërkuar avancimin e kualifikimit të këtyre mësimdhënësve në diplomë 4-vjeçare bachelor të Fakultetit të Edukimit të UP-së, si ekuivalente me diplomat tjera që i lëshonte ky Fakultet. Por, në fund të hulumtimit të KALLXO.com del se jo të gjithë të diplomuarit e ndoqën programin e Avancimit të Kualifikimit.

Dekani i Fakultetit të Edukimi i asaj kohe, Ethem Çeku i ka thënë ekipit të KALLXO.com se nuk i kujtohet se sa studentë ndoqën programin, ndërsa edhe menaxhmenti i tanishëm i Fakultetit nuk ka të dhëna specifike.

“Meqë ky Program i Avancimit të Kualifikimit është menaxhuar në nivel të Ministrisë dhe Rektoratit, nuk kemi asnjë dokumentim, të paktën në Fakultetin e Edukimit, nga ajo kohë se përse nuk është zbatuar ajo marrëveshje si vazhdimësi e praktikave që kanë qenë prezente në atë kohë si modele të riakualifikimit e qasjeve më pak formale të riakualifikimit e që nga perspektiva e tanishme ka mjaft hapësirë për t’i kritikuar si modele të përgatitjes së mësimdhënësve e zgjidhje të problemeve.” – ka thënë Blerim Saqipi, dekan në Fakultetin e Edukimit të UP-së.

Dekani Saqipi është pyetur edhe për një fakt tjetër. Mësimdhënësja Luljeta Kurhasani më 2014 kishte regjistruar master në këtë Fakultet, pikërisht me diplomën që sot Ministria thotë se nuk figuron për njohje zyrtare.

Kurhasani del se kishte aplikuar në konkursin e UP-së për studime, sipas së cilit, në rastet kur ka vende të lira mund të aplikojnë edhe të diplomuar nga kolegjet private, por me kushtin që të konstatohej njohja nga Ministria dhe Agjencia e Akreditimit për vlefshmërinë e diplomave. Por, si e kishte verifikuar UP diplomën e Kurhasanit?

Dekani Saqipi thotë se në dosjen e saj figuron një shkresë e lëshuar nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit më , si dëshmi për kualifikimin e saj.

Sipas Saqipit, nga perspektiva e tanishme e kanë të vështirë të vlerësojnë rrethanat e sektorit të arsimit të lartë, universitetit e fakultetit në periudhën e atëhershme pasi ka mungesë të proceseve të komunikimit të dokumentuar mjaftueshëm midis akterëve dhe nuk kishte qenë në rolin e dekanit.

“Sektori i arsimit të lartë ka qenë në zhvillime dinamike në atë dekadë duke pasur parasysh funksionalizimin progresiv të Agjencisë së Akreditimit dhe fuqizimin e ligjit të arsimit të lartë në vitin 2011.” – ka shtuar Saqipi.

U toleruan të pranonin studentë në programe të palicencuara Edmond Beqiri, kishte qenë rektor i Kolegjit “Vizioni Evropian” në Pejë i cili edhe i ka nënshkruar diplomat e mësimdhënëseve Rezolita Gorani dhe Luljeta Kurhasani. Në bazë të një biografie publike , Beqiri kishte qenë rektor i kolegjit gjatë periudhës deri më .

Beqiri sot është prorektor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë dhe profesor atje. KALLXO.com nga data e ka pyetur me shkrim dhe telefonuar disa herë, por Beqiri nuk gjeti kohë të përgjigjet. Kur është telefonuar më , Beqiri ka thënë se nuk i ka parë pyetjet, pasi ishte i zënë, por e ka pohuar se do t’i shikonte.

Pastaj, në një telefonatë tjetër nga KALLXO.com, në numër të Beqirit ka folur një grua e cila ka deklaruar se ai ishte në një takim. Kështu që, ekipi i KALLXO.com ka shkuar ta takojë Beqirin në Rektorat dhe Fakultet të Biznesit të Universitetit në Pejë, më .

Në Rektorat, një zyrtare e ka telefonuar në prezencë të ekipit profesorin, i cili ia ka hapur telefonin dhe i ka thënë se nuk ishte aty. Ndonëse, zyrtarja deklaron se e kishte parë në ambientet e Rektoratit, pak minuta para se KALLXO.com të shkonte. “Thotë më ka dal një problem familjar, punë private. S’e dija bile, se këtu ishte para pak minutash.” – ka thënë ajo.

Ekipi ka vazhduar për në Fakultet të Biznesit, ku mori vesh nga studentët se në atë datë kishte provim me ta në ora . Kështu, e kemi pritur për më shumë se gjysmë ore, por ai nuk u paraqit as për provimin.

Ka një muaj që profesori Beqiri nuk përgjigjet në pyetjet e KALLXO.com për të na treguar se si kishte vepruar Fakulteti i Edukimit i Kolegjit “Vizioni Evropian” pa licencim nga Ministria e Arsimit. Situata e ngjashme është edhe në disa qytete të tjera, si të diplomuarit në Fakultetin e Edukimit në Kolegjin “Gjilani”.

Ish-dekani i këtij kolegji Naim Mustafa i ka konfirmuar për KallxoPërnime se patën ankesa të shumta nga studentët që ishin pranuar dhe diplomat e tyre nuk pritej të njiheshin. “Gjatë periudhës kur kam qenë dekan, kemi pranuar ankesa nga studentët lidhur me moslicencimin e këtyre programeve dhe pasojat që kjo çështje kishte për diplomat e tyre.

Për informimin tuaj, gjatë periudhës sa kam qenë dekan, së bashku me pronarët e kolegjit, kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e këtij problemi. Këto përpjekje janë realizuar përmes takimeve të shumta ndërmjet kolegjit dhe Ministrisë së Arsimit.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të bëra, çështja nuk ka arritur të zgjidhet me sukses gjatë asaj periudhe.” – është përgjigjur Mustafa.

Pasi tha se i kishin udhëzuar që edhe në kushte të moslicencimit të regjistronin studentë, Mustafa ka sqaruar se “nga bisedat joformale të zhvilluara më vonë në kolegj me personelin akademik dhe pronarët, në atë periudhë kishte ekzistuar një praktikë që kolegjet të fillonin regjistrimin e studentëve në fillim të viteve akademike, ndërsa proceset e licencimit të programeve të zhvilloheshin më pas nga Ministria e Arsimit.” Mustafa ka ndarë me ne numrin e studentëve të regjistruar në Kolegjin “Gjilani” në programet e Fakultetit të Edukimit, të cilat në bazë të vendimit të ish-ministrit Arsim Bajrami nuk ishin të licencuara për vitet akademike 2006/2007 dhe 2007/2008.

Atij nuk i kujtohet se sa kishin paguar studentët për studime në Kolegjin “Gjilani”. Sipas këtyre të dhënave, më 2006/2007 ishin regjistruar gjithsej 19 studentë në programin Arsimi para-fillor, kurse më 2007/2008 ishin regjistruar 17. Gjithsej kishin diplomuar 19. Në Arsimin Fillor, më 2006/2007 ishin regjistruar 34, kurse pas një viti, 43. Dhe kishin diplomuar 53.

Nga këndvështrimi i Mustafës, vendimi ish-ministrit Bajrami ka qenë një përpjekje e mirë institucionale për tejkalimin e këtij problemi, por ai shprehet se nuk i di arsyet pse ai vendim nuk është zbatuar, ose nëse është zbatuar pjesërisht, nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës.

Ndryshe nga Mustafa, Sedat Berisha, pronar i kolegjit “Universum” në Ferizaj, ka deklaruar se nuk kanë pranuar ankesa nga studentët për shërbimin e tyre në atë kohë. Sipas tij, 24 studentë kishin diplomuar në vitin akademik 2007/2008 në Kolegjin “Universum” në Ferizaj, në Fakultetin e Edukimit.

Edhe pse vendimi i ish-ministrit Arsim Bajrami thotë se nuk i kishin programet e licencuara në Fakultetin e Edukimit në vitin akademik 2007/2008, Berisha thotë se kanë funksionuar normalisht me arsyetimin se kanë pasur transparencë të lartë dhe bashkëpunim me Departamentin e Arsimit të Lartë dhe Inspektoratit në Ministri, kanë raportuar çdo vit në Ministri, si dhe në Administratën Tatimore të Kosovës për çështjet tatimore.

“Regjistrimi i këtyre studentëve në Programin e Edukimit-mësimdhënie 4-vjeçar është bërë mbi bazën e kërkesës tonë gjatë periudhës 2006/2007 për licencimin e këtij programi.

Komisioni për licencim pranë MASHT ka zhvilluar të gjitha procedurat e nevojshme, vizita të drejtpërdrejta në kampusin tonë për vlerësimin e programit, hapësirat, stafin mësimdhënës, stafin administrativ, stafin menaxhues dhe të gjitha procedurat paraprake të bazuara mbi kriteret e licencimit të një programi studimor.” – ka thënë Berisha.

“Në atë periudhë është paguar edhe TVSH dhe tatim në fitim nëse ka pasur për çdo të hyrë nga studentët. Këtë e ka parapa Ligji mbi TVSH dhe ashtu është vepruar.

Nga MASHT pas kërkesës tonë për licencim dhe vizitat e Komisionit për Licencim, tutje në procedurë MASHT-i ka heshtur, nuk kemi pasur një konfirmim me shkrim që nuk licencohemi dhe mbi këtë bazë kemi funksionuar pa asnjë paralajmërim se duhet të ndërpritet së funksionuari ky Program i Edukimit.” – ka shtuar ai.

Në të paktën dy raste, KALLXO.com ka arritur të verifikojë se dy mësues që nuk kanë diploma valide punojnë në shkollat e Kosovës. Ky problem i heshtur për disa vite pritet të auditohet nga Inspektorati i Arsimit, të paktën kështu na është thënë jozyrtarisht. Kurse, Hajrulla Çeku, ministri në detyrë i Arsimit ka paralajmëruar masa.

“Çdo konstatim i kësaj natyre duhet ta ketë për pasojë veprimin e pamëshirshëm të shkëputjes së atyre kontratave ose çfarëdo licence që i është dhënë dikujt në mënyrë të paligjshme. Pra, në momentin që i kemi përballë dëshmitë, për çka po na ndihmoni besoj edhe ju me hulumtimin tuaj, ne do të kalojmë në veprime konkrete, sanksionuese.” – ka deklaruar Çeku.

Burimi: Kallxo