Shpërndaje në: Një 33-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe kanosur prindërit e tij. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të shtunën, ndërkaq autoritetet kanë pranuar një njoftim për një mosmarrëveshje mes disa personave në një rrugë të qytetit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se i dyshuari kishte sulmuar dhe kanosur prindërit e tij. Të dëmtuarit janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik për trajtim mjekësor, ndërsa më pas janë intervistuar në stacionin policor. Lidhur me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar.
Edhe i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor, pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë. Me rastin janë marrë Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje dhe hetuesit policorë. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.
