Ndër menaxherat e njohur ishte edhe italiani Skandefini, të cilit nga aktorët e derbit të madh në Maksimir i ra në sy Fadil Vokrri golgeteri i Partizanit, dhe një kohë të gjatë i Prishtinës, ka shkruar sporti i “Rilindjes” më 29 tetor të vitit 1987. “Golgeteri i Partizanit është lojtar i mrekullueshëm. Bile sot, në futbollin evropian s’ka qendërsulmues më të mirë se Fadil Vokrri.
Çmimi i tij, nëse vendos të ndërrojë skuadrën, mund të jetë fantastik. Momentalisht kam së paku pesë skuadra italiane që do ta angazhonin me kënaqësi. Vokrrit dhe për këtë, pa menduar fare, do t’i ofronin një milion e gjysmë dollarë”, kishte thënë Skandefini.
