Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në plazhin e Velipojës, ku një pushues 67-vjeçar rrezikoi të humbte jetën gjatë kohës që po lahej në det. I moshuari u nxor nga uji në gjendje kritike, pa shenja jete dhe pa frymëmarrje. Reagimi i menjëhershëm i vrojtuesit të plazhit, Besfort Gjoklaj, rezultoi vendimtar për shpëtimin e tij.
Vrojtuesi ndërhyri menjëherë, e nxori 67-vjeçarin nga deti dhe i dha ndihmën e parë duke kryer manovrat e nevojshme të reanimimit. Pas disa minutash përpjekjesh, pushuesi rifitoi shenjat jetësore. Më pas, ai iu dorëzua ekipit të Urgjencës, i cili e transportoi me ambulancë drejt spitalit për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e vrojtuesit të plazhit shmangu një tragjedi të mundshme, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e pranisë së ekipeve të shpëtimit në zonat bregdetare gjatë sezonit veror. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
