Paris Saint-Germain është shumë pranë transferimit të Ferran Torresit nga Barcelona, pasi palët kanë arritur një marrëveshje në parim për një kontratë afatgjatë. Sipas gazetarit italian Nicolò Schira, sulmuesi spanjoll ka rënë dakord me kampionët e Francës për një kontratë që do ta mbajë në Paris deri në verën e vitit 2031.
Tashmë PSG po përgatit ofertën e parë zyrtare që do t’ia dërgojë Barcelonës për kartonin e 26-vjeçarit. Sipas të njëjtit burim, Ferran Torres është i gatshëm të largohet nga klubi katalanas gjatë kësaj merkatoje.
Interesim për reprezentuesin spanjoll kanë shfaqur edhe dy klube nga Premier League, megjithatë lojtari ka vendosur ta vazhdojë karrierën te PSG, duke e bërë klubin francez destinacionin e tij të preferuar. Mbetet të shihet nëse Barcelona do ta pranojë ofertën që PSG pritet ta formalizojë në ditët në vijim, ndërsa negociatat mes dy klubeve pritet të intensifikohen.
