Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka reaguar me zhgënjim pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë pas vazhdimeve në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke kritikuar vendimet e gjyqtarëve që sipas tij ndikuan në fatin e ndeshjes. “Për të qenë i sinqertë, është shumë e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej tani. Mendoj se meritonim më shumë”.
“Në të njëjtën kohë, ishim vetëm një hap larg eliminimit të Anglisë. Ka një ndjenjë boshllëku, por njëkohësisht jemi krenarë që luajtëm një çerekfinale kundër Anglisë dhe i dhamë një betejë të fortë. Emocionet e mia janë të përziera”, deklaroi Haaland. I pyetur për dy vendimet e diskutueshme të gjyqtarit në momentet kyçe të ndeshjes, sulmuesi norvegjez nuk e fshehu pakënaqësinë.
“Janë pikërisht këto episode të vogla që vendosin fatin e ndeshjeve në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim në favorin tonë, por sot, në të gjitha situatat 50-50, vendimet shkuan kundër nesh. Kur luan ndaj një skuadre si Anglia, kjo e bën gjithçka shumë më të vështirë”. “Ne arritëm t’ia impononim lojën kundërshtarit.
Martin kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe luajtëm ashtu siç kishim planifikuar. Shënuam gol, por ai u anulua sepse, sipas gjyqtarit, unë shtyva Elliot Anderson gjatë goditjes nga këndi. Sinqerisht, mua më shtyjnë në pothuajse çdo duel të tillë. Është paksa zhgënjyese”, u shpreh ai.
Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, gjyqtari francez Clement Turpin, pas rishikimit të pamjeve me VAR, anuloi golin e Torbjorn Heggem për një faull të Haaland gjatë një goditjeje nga këndi, duke urdhëruar përsëritjen e kornerit. Pavarësisht eliminimit, 25-vjeçari beson se paraqitja në Botërorin 2026 ka ndryshuar përgjithmonë imazhin e Norvegjisë në futbollin ndërkombëtar.
“Është e vështirë ta përpunoj gjithçka tani, por mendoj se ky turne e ka ndryshuar Norvegjinë”. “Jam krenar për skuadrën tonë dhe shpresoj që edhe të gjithë norvegjezët të jenë krenarë për ne. Ajo që kemi arritur është një sukses i madh”. “Gjithçka duket e pabesueshme. Ndihem sikur ky turne më ka ndryshuar edhe mua si person.
Ndoshta tani njerëzit më njohin edhe më shumë”, përfundoi Haaland. Sulmuesi i Norvegjisë e mbylli Kupën e Botës 2026 me shtatë gola në pesë ndeshje, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të turneut, pavarësisht eliminimit të kombëtares së tij në çerekfinale.
