Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sot, në oborrin e ndërtesës së Kuvendit, janë mirëpritur grupet folklorike dhe ansamblet nga Franca, Holanda, Turqia, Bullgaria, Hungaria, Greqia, Meksika dhe Kosta Rika, të cilat po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit NEWBORN Kosova.
Sipas Haxhiut, gjatë ditëve në vijim, këto ansamble “do të sjellin para publikut kulturën, muzikën dhe vallet tradicionale të vendeve të tyre, duke e bërë Kosovën një vendtakim të traditave dhe miqësisë mes popujve”.
Ajo ka bërë të ditur se në fjalën e mirëseardhjes ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe rolin që kanë festivale si NEWBORN “për të afruar njerëzit dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi përtej kufijve”.
Haxhiu u ka uruar artistëve paraqitje të suksesshme dhe një qëndrim të këndshëm në Kosovë, ndërsa ka falënderuar organizatorët për përkushtimin e tyre në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare kulturore.
