Veprimtaria e komisionit kushtetues pas 9 korrikut 1990 dhe qëndresa

0%

Përjashtimi i dhunshëm i administratës shqiptare nga Kuvendi i Kosovës më nuk nënkuptoi ndërprerjen e jetës institucionale të Kosovës. Përkundrazi, ai shënoi fillimin e një faze të re të rezistencës institucionale, në të cilën administrata profesionale, deputetët dhe ekspertët juridikë vazhduan ta kryenin misionin e tyre kombëtar në rrethana jashtëzakonisht të vështira.

Serbia kishte marrë nën kontroll objektet, arkivat dhe mekanizmat formalë të pushtetit, por nuk mund të pushtonte legjitimitetin kushtetues të institucioneve të Kosovës dhe as vullnetin politik të popullit shqiptar. Pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës hyri në një etapë vendimtare.

Deklarata nuk ishte fundi i procesit shtetformues, por fillimi i tij. Ajo krijoi bazën juridike dhe politike mbi të cilën duhej të ndërtohej Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, puna e Komisionit Kushtetues fitoi rëndësi të jashtëzakonshme historike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Puna e Komisionit Kushtetues në ilegalitet dhe konfidencialitet të plotë Edhe pse institucionet ishin nën presion të vazhdueshëm policor e ushtarak, Komisioni Kushtetues nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij.

Në kryerjen e detyrave profesionale një rol të rëndësishëm e pati sekretari i Komisionit Kushtetues, Halit Muharremi, ndërsa në përgatitjen teknike dhe daktilografimin e materialeve një kontribut të veçantë dha shefi i daktilobyrës së Kuvendit, Hamzë Ajazi. Ata punuan me përkushtim, në kushte konspirative dhe nën rrezikun e vazhdueshëm të ndjekjes nga organet e regjimit serb.

Në atë kohë, daktilografimi i një teksti kushtetues nuk ishte më një procedurë e zakonshme administrative. Çdo faqe e daktilografuar ishte një akt rezistence. Çdo korrigjim, çdo kopje e shumëzuar dhe çdo dokument i ruajtur përfaqësonte një kontribut në ndërtimin e bazës juridike të shtetit të ardhshëm të Kosovës.

Në këtë kuptim, administrata nuk ishte më vetëm shërbim teknik i Kuvendit; ajo ishte bërë pjesë aktive e rezistencës institucionale dhe shtetformuese. Kjo punë intensive u kurorëzua më , kur në Kaçanik deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ishte një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike, juridike dhe politike, sepse për herë të parë u kodifikua rendi kushtetues i Republikës së Kosovës mbi bazën e vullnetit demokratik të përfaqësuesve legjitimë të popullit.

Nga këndvështrimi i sotëm historik, duhet theksuar se miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut nuk do të kishte qenë i mundur pa punën e e Akademik Gazmend Zajmit, të administratës dhe ekspertëve që përgatitën dokumentacionin kushtetues.

Kontributi i Iljaz Ramajlit, Halit Muharremit, etj. dhe delegatëve të Kuvendit Veçanërisht duhet lavdruar punën e palodhëshme dhe kontributin vendimtar të Iljaz Ramajlit, Halit Muharremit, anetarëve të Komisionit Kushtetues, Hamzë Ajazit dhe delegatëve të Kuvendit të Kosovës.

Historia shpesh përmend deputetët dhe vendimet e tyre, por më rrallë kujton njerëzit që, larg vëmendjes së opinionit, siguruan përgatitjen profesionale të këtyre akteve historike. Në këtë periudhë dramatike, një numër i vogël punonjësish shqiptarë, sipas kujtimeve të mia rreth trembëdhjetë veta, vazhduan të punonin në administratën e Kuvendit.

Ata mbetën kryesisht për arsye të mbijetesës ekonomike dhe përgjegjësive familjare. Historia nuk duhet t’i gjykojë këto zgjedhje me kriteret e kohës së paqes. Secili përballej me dilema të rënda njerëzore, ndërsa okupimi krijonte rrethana të jashtëzakonshme, në të cilat vendimet individuale nuk ishin as të lehta dhe as bardhezi.

Shumica dërrmuese e punonjësve shqiptarë, megjithatë, mbetëm jashtë ndërtesës së Kuvendit. Përjashtimi ynë nuk nënkuptonte shkëputje nga institucioni. Ne vazhdonim ta ndienim veten pjesë të administratës së Kuvendit të Kosovës dhe besonim se një ditë do të riktheheshim në institucionin që i shërbenim me profesionalizëm.

Takimet dhe këshillimet në kafeterinë pranë Teatrit Kombëtar Çdo mëngjes mblidheshim në kafeterinë pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Për ne ajo kafeteri u bë një zyrë e improvizuar, një vendtakim i përditshëm dhe një hapësirë solidariteti.

Atje shkëmbenim informacionet e fundit, diskutonim zhvillimet politike, përcillnim lajmet që vinin nga deputetët dhe nga udhëheqja politike, si dhe përpiqeshim të kuptonim se cilat do të ishin hapat e ardhshëm të rezistencës institucionale.

Nuk ishim më në zyrat tona, por vazhdonim ta jetonim çdo ditë me shqetësimin dhe përgjegjësinë e njerëzve që ndiheshin ende pjesë e institucioneve të Kosovës. Ishte një pritje e gjatë, e mbushur me pasiguri, por edhe me shpresë.

Këshillime të rëndësishme zhvillonim në kafeterinë përballë Teatrit sidomos me politikanë të vjetër si psh me Iljaz Kurteshin, delegat i Kosovës në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë, i cili kishte një kulturë të gjërë komunikimi dhe gëzonte autoritet të madh në popull.

Pastaj na këshillonte Jusuf Zejnullahu, kryetar i Këshillit Ekzekutiv-Kryeministër i Kosovës, Remzi Kolgeci kryetar I Kryesisë së Kosovës na bashkohej në protesta dhe mbaj mend kur na sulmuan policia dhe ai nuk u largua fare dhe shefi i grupit të policëve e kërcnoi fizikisht, etj. Ne nuk kishim armë asokohe, protestonim duarthatë!

Por, ndihma dhe këshillimet më të rëndësishme asokohe i zhvillonim me Profesor Fehmi Aganin, kryesisht në kafeterinë “Elida” ku gjëndeshin Alternativa shqiptare. Në ato ditë Prishtina jetonte pothuajse vetëm për rezistencën qytetare. Çdo ditë, gjatë pushimit të paradites, organizoheshin shëtitje protestuese nga ndërtesa e Kuvendit deri te Hoteli Grand.

Këto marshime ishin të qeta, dinjitoze dhe paqësore. Nuk kishte parulla të dhunshme dhe as provokime. Vetë prania e mijëra qytetarëve ishte mesazhi më i fuqishëm politik se populli nuk e pranonte shuarjen e autonomisë dhe pushtimin e institucioneve. Në mbrëmje, në orën , qytetarët ndeznin qirinj në sheshet e Prishtinës.

Flaka e tyre simbolizonte shpresën, lirinë dhe besimin se errësira politike nuk do të zgjaste përgjithmonë. Ishte një rit qytetar që bashkonte njerëzit përtej dallimeve politike e shoqërore. Solidariteti kombëtar i qytetarëve Po aq mbresëlënëse ishte edhe rezistenca nga banesat.

Në një orar të caktuar dëgjoheshin goditjet ritmike të tenxhereve dhe enëve metalike nga dritaret e mijëra apartamenteve. Menjëherë pas kësaj, qytetarët fiknin dhe ndiznin dritat sipas një ritmi të përbashkët. Këto forma simbolike proteste nuk mund ta rrëzonin regjimin, por kishin një rëndësi të jashtëzakonshme morale.

Ato krijonin ndjenjën se populli ishte i bashkuar dhe se askush nuk ishte i vetmuar përballë represionit. Në rrethanat e terrorit policor, solidariteti ishte arma jonë më e fortë. Pikërisht ai solidaritet na ndihmoi ta përballonim pasigurinë ekonomike, frikën për familjet tona dhe pasojat psikologjike të përjashtimit nga puna.

Në pritje të Grevës së Përgjithëshme të 3 shtatorit 1990 Ndërkohë, e gjithë Kosova priste me ankth datën , kur ishte paralajmëruar greva e përgjithshme. Ajo shihej si një manifestim gjithëpopullor i mosbindjes civile dhe si dëshmi se institucionet e pushtuara nuk përfaqësonin më vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, regjimi serb përpiqej ta mbante popullsinë nën presion të vazhdueshëm psikologjik. Në mbrëmje, aeroplanët ushtarakë fluturonin në lartësi të ulëta mbi Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, duke krijuar zhurmë shurdhuese dhe atmosferë terrori që I trishtonte edhe fëmijët në djep!

Kolonat e automjeteve ushtarake, tanket, njësitë speciale të policisë dhe patrullat e shumta krijonin përshtypjen sikur Kosova ndodhej në gjendje lufte. Qytetarët shqiptarë jetonin nën një presion të përhershëm. Arrestimet, marrjet në pyetje, bastisjet dhe kërcënimet ishin bërë pjesë e jetës së përditshme.

Megjithatë, as kjo atmosferë frike nuk arriti ta shuante besimin se e drejta historike dhe juridike ishte në anën e Kosovës. Nga këndvështrimi sociologjik, kjo periudhë paraqet një shembull të rrallë të transformimit të rezistencës institucionale në rezistencë shoqërore. Kur institucionet u pushtuan me forcë, vetë shoqëria mori përsipër ta ruante legjitimitetin e tyre.

Administrata e përjashtuar, deputetët, profesorët, studentët, punëtorët dhe qytetarët e zakonshëm u bënë pjesë e të njëjtit front paqësor të mbrojtjes së identitetit politik dhe kushtetues të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e 7 shtatorit 1990 Kushtetuta e Kaçanikut nuk lindi vetëm nga puna juridike e Komisionit Kushtetues.

Ajo lindi edhe nga rezistenca morale e administratës së përjashtuar, nga solidariteti qytetar dhe nga bindja kolektive se shteti nuk ndërtohet vetëm me ndërtesa, por mbi të gjitha me institucione legjitime dhe me njerëz që besojnë në to. Sot, pas më shumë se tri dekadash, kjo periudhë duhet të zërë vendin që meriton në historiografinë e Kosovës.

Kujtesa historike nuk duhet të kufizohet vetëm te aktet politike dhe te emrat e udhëheqësve. Ajo duhet të përfshijë edhe administratën profesionale, përkthyesit, daktilografët, juristët, sekretarët, arkivistët dhe të gjithë ata punonjës të heshtur që, edhe në rrethanat më të vështira, ruajtën vazhdimësinë institucionale të Republikës së Kosovës.

Përfundim Ky është një kapitull i historisë sonë që dëshmon se rezistenca nuk zhvillohet vetëm në parlament, në diplomaci apo në fushëbetejë.

Ajo zhvillohet edhe në zyrat e improvizuara, në tavolinat ku hartohen dokumentet kushtetuese, në kafeteritë ku mblidhen punonjësit e përjashtuar, në marshimet paqësore të qytetarëve, në qirinjtë e ndezur në mbrëmje dhe në zhurmën ritmike të tenxhereve nga dritaret e banesave.

Pikërisht në këto veprime të përditshme u ruajt vazhdimësia morale, juridike dhe institucionale e Kosovës deri në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të saj. Preshevë,

Burimi: Bota Sot