Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 38-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në lumin Tagliamento për të shpëtuar djalin e tij të vogël që ishte marrë nga rryma e ujit. Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, nën viaduktin e autostradës A4. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë persona në vështirësi në lumë.
Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një murator 38-vjeçar, me origjinë nga Baku i Azerbajxhanit, i cili jetonte në Pontebba, në provincën e Udines. Raportohet se ai u hodh në ujë pasi djali i tij 5-vjeçar e gjysmë u mor nga rryma. Bashkë me të ndodheshin edhe dy vajzat e familjes, 9 dhe 11 vjeçe.
Babai arriti ta nxirrte djalin në breg, ndërsa dy vajzat dhe nëna e tyre u ndihmuan nga persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Menjëherë pas shpëtimit të të birit, 38-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit. Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, një helikopter dhe zhytësit, të cilët nisën menjëherë kërkimet.
Pas disa orësh, trupi i pajetë i burrit u gjet në bregun tjetër të lumit Tagliamento. Ndërkohë, djali 5-vjeçar, i cili kishte pësuar sindromë të rëndë mbytjeje, u transportua me helikopter në spitalin e Udines. Mjekët konfirmuan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
