Maqedonci: Haxhiu u ftua në margjinat e Samitit të NATO-s, por u

0%

Shpërndaje në: Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ishte e ftuar të merrte pjesë në një aktivitet në margjinat e Samitit të NATO-s që u mbajt në Ankara, por nuk kishte mundur të udhëtonte për shkak të angazhimeve në agjendën e saj.

Maqedonci shtoi se meqë Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin e samitit është vlerësuar që Kosova të mos marrë fare pjesë në atë aktivitet. Maqedonci sqaroi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar në punimet e Samitit të NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës, ndërsa ftesat për përfaqësuesit e saj kanë qenë vetëm për aktivitete të organizuara në margjinat e samitit.

Ai theksoi se vitin e kaluar, në një aktivitet të tillë në kuadër të Konferencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte ftuar ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa këtë vit ftesa ishte drejtuar Haxhiut, mirëpo për shkak të agjendës nuk kishte mundur të ishte e pranishme në samit. Ftesa për Haxhiun, sipas ministrit në detyrë, ishte për një takim njëditor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në margjinat e këtij Samiti vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani nga DASH-i. Edhe sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu. Me ftesë nga Këshilli i Atlantikut, që është pjesë e SHBA-së, për një ‘roundtable’. Besoj se ka qenë e angazhuar diku tjetër (pse nuk ka shkuar).

Kur këto samite kanë fokus të veçantë regjionin e Ballkanit Perëndimor patjetër që Kosova, sikurse vendet e rajonit, ftohen të jenë pjesë e takimeve të ndryshme brenda një samiti. Në Ankara nuk ka qenë fokus kryesor Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse asnjë vend tjetër jo-anëtar të rajonit nuk është ftuar të jetë pjesë e atij samiti.

Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me Haxhiun për pjesëmarrjen tonë me aktivitete që lidhen me mbrojtjen, NATO-n, sigurinë, ushtrinë. Këtë rast besoj që agjenda e saj ia ka pamundësuar.

Ka qenë ftesa e Këshillit të Atlanikut për një takim njëditor, për një ‘roundtable’ dhe vlerësoj se duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjina të saj, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti që është realizuar.

Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, ka thënë Maqedonci në një intervistë për “KosovaPress” të shtunën.

Sipas Maqedoncit, institucionet e Kosovës vlerësojnë rëndësinë e aktiviteteve që zhvillohen në margjinat e samiteve të NATO-s përpara se të vendosin për pjesëmarrjen, ndërsa u shpreh optimist se në samitin e ardhshëm të Aleancës, që do të mbahet në Tiranë, Kosova do të ketë mundësi të marrë pjesë në aktivitete të ngjashme. Samiti i NATO-s në Ankara u mbajt më 7 dhe 8 korrik.

Fokusi kryesor ishte rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, mbështetja për Ukrainën dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes së NATO-s. Partitë opozitare patën reaguar për mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit, duke cilësuar se është hera e parë që vendi nuk ishte e përfshirë në aktivitetet e samitit dhe e interpretuan këtë si dëshmi të përkeqësimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

Burimi: Koha