Sulmuesi norvegjez Erling Haaland ka gjetur kohë për humor para çerekfinales së Kupës së Botës ndaj Anglisë, duke e ngacmuar legjendën angleze Wayne Rooney për një premtim që kishte bërë si analist në “BBC”. Rooney kishte deklaruar se do të voziste me varkë në lumin Mersey nëse Norvegjia do ta eliminonte Brazilin dhe do të kualifikohej në çerekfinale të Kampionatit Botëror.
Në atë kohë, ai ishte shumë skeptik për shanset e norvegjezëve. Pas fitores së Norvegjisë ndaj Bregut të Fildishtë në 1/8 e finales, Rooney kishte thënë për “BBC Sport”: “Nëse Norvegjia arrin në çerekfinale, do të hip në një varkë dhe do të vozis në lumin Mersey.” Megjithatë, Norvegjia befasoi të gjithë duke mposhtur Brazilin me rezultat 2:1 dhe siguroi një vend në mesin e tetë skuadrave më të mira të botës, ku tani e pret përballja me Anglinë në Miami.
Para kësaj ndeshjeje, Haaland vendosi t’ia kujtojë Rooneyt fjalët e tij. “Mezi pres ta shoh Wayne-in, djalin tonë Wayney. Wayne Rooney tha se do të voziste nëse ne arrinim në çerekfinale. Prandaj, Wayne Rooney, pres që ta mbash premtimin dhe të marrësh lopatat,” tha Haaland me buzëqeshje.
Sulmuesi norvegjez iu referua edhe festimit karakteristik të lojtarëve dhe tifozëve të Norvegjisë në këtë Botëror, të cilët shpesh imitojnë lëvizjen e vozitjes pas golave. Rooney, i vënë përballë deklaratës së Haalandit, u përpoq ta kalonte me humor situatën. “Po, këtë nuk do ta them më kurrë,” u shpreh ai duke qeshur. Më pas shtoi se nuk kishte ndërmend të voziste i vetëm.
“Me mua do të vijë edhe Meeks (Micah Richards),” tha Rooney. Richards reagoi menjëherë: “Nuk e di pse më fut gjithmonë në këto histori!” Rooney vazhdoi me shaka se ai, Micah Richards dhe Joe Hart mund ta realizojnë sfidën në lumin Hudson në Nju Jork, nëse BBC arrin ta organizojë. “Jam njeri që e mbaj fjalën. Micah dhe Gabby Logan pranuan të jenë pjesë. Nëse duhet, do ta bëjmë në Hudson.
Do ta realizoj pa asnjë problem,” deklaroi ish-kapiteni i Anglisë. Ndërkohë, Haaland po zhvillon një Kampionat Botëror fantastik. Në katër ndeshje ai ka realizuar shtatë gola dhe renditet vetëm një gol prapa Lionel Messit dhe Kylian Mbappes, të cilët kryesojnë listën e golashënuesve me nga tetë gola secili.
Tani sulmuesi i Norvegjisë do të synojë ta udhëheqë ekipin e tij edhe ndaj Anglisë, me ëndrrën për të siguruar një kualifikim historik në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
