Me zhvillimin e ndeshjeve të konkurrencës së femrave ka nisur dje Kampionati i Kosovës në Beach Volley U20, i organizuar nga Federata e Volejbollit e Kosovës.
Pas përfundimit të procesit të verifikimit të ekipeve, takimit informativ dhe tërheqjes së shortit, garueset zbritën në fushë për të zhvilluar ndeshjet e fazës së parë të kampionatit, duke dhuruar përballje konkurruese dhe nivel të lartë loje.
Në këtë kampionat morën pjesë çiftet më të mira të grupmoshës U20 nga klubet e volejbollit në vend, të cilat garuan për një vend në fazën kryesore dhe për avancim në garë.
Federata e Volejbollit e Kosovës bëri të ditur se gara është zhvilluar në përputhje me rregulloren e kampionatit, ndërsa të gjitha 16 ekipet pjesëmarrëse kanë përmbushur procedurat e nevojshme të verifikimit dhe licencimit.
Sistemi i garës ishte organizuar në mënyrë eliminatore, duke mundësuar që ekipet fituese të avancojnë drejt raundeve vendimtare, ndërsa ekipet tjera vazhdojnë garën për pozicionim përfundimtar. Në këtë mënyrë, gradualisht u përcaktuan çiftet më të suksesshme që do të luftojnë për titullin kampion në këtë grupmoshë.
Anëtari i komisionit të garave, Bahtir Pllana, duke folur për KosovaPress vlerësoi organizimin dhe interesimin për këtë kampionat, duke theksuar se pjesëmarrja mbetet e lartë në të dy grupmoshat. “Organizimi për momentin është shumë i mirë. Këtë javë jemi duke zhvilluar garat e grupmoshave U20. Në të dy grupmoshat janë 28 ekipe. Javën e kaluar kishim me grupmoshat U18 ku ishin 34 ekipe.
Pak a shumë mund të them që janë pak më pak ekipe për shkak që kombëtarja U17 është në grumbullim, po besoj që kishim pasur hala më shumë ekipe. Interesimi është shumë i madh, sidomos te U18 ka qenë, ashtu edhe në U20”, bëri të ditur Pllana. Ai shtoi se zhvillimi i beach-volley-t në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme viteve të fundit.
“Si çdo kampionat tjetër, presim çdo herë të ngritet beach-volley. Si çdo herë në përgjithësi volejbolli në Kosovë ka shënuar një ngritje shumë të lartë, po ashtu edhe beach-volley. Që nuk e kemi pasur shumë të zhvilluar beach-volley-n në Kosovë, këto vitet e fundit është zhvilluar goxha shumë”, tha Pllana.
Ndërkohë, volejbollistja e ekipit Prishtina 75, Sara Pira, u shpreh e kënaqur me organizimin dhe rrjedhën e garës. “Loja po shkon tepër mirë, organizimi është i mirë edhe është shumë mirë për neve me pas mundësinë me ardhë këtu”, shtoi Pira. Tutje, Pira theksoi se pavarësisht përgatitjeve jo të gjata, synimet e ekipit mbeten të larta.
“Për pjesën e kësaj gare nuk është që kemi pasur shumë shumë kohë me u përgatit, po nuk është edhe keq. Po ne shpresojmë për më të mirën, me fitu, me pas mundësinë me luajt jashtë vendit, me përfaqësu vendin në këto gara, ky është synimi jonë kryesor”, përfundoi Pira.
Gara në kategorinë e vajzave do të vazhdojë edhe sot, ku do t’u bashkohen edhe djemtë, duke e kompletuar programin e kampionatit dhe duke sjellë duele të tjera interesante në luftën për titujt e kampionëve të Kosovës U20 në Beach Volley.
